Osmani takon Michael Roth, shpreh mirënjohjen për mbështetjen e tij për Kosovën

  • A.P /
  • 01 October 2024 - 16:00
Osmani takon Michael Roth, shpreh mirënjohjen për mbështetjen e tij për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në Gjermani dhe pas takimit me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e ka takuar edhe deputetin gjerman, Michael Roth, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Me Roth, Osmani tha se pati diskutim të “hapur e miqësor”.

“Diskutim i hapur e miqësor me Michael Roth, Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, një ndër zërat më të fuqishëm e konsistent në përkrahje të Kosovës”, shkroi Osmani në një postim në Facebook.

Presidenca thotë se “në takim është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë e më gjerë”

Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Roth dhe në përgjithësi të Bundestagut gjerman për aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe theksoi rëndësinë e rolit të shtetit gjerman në këtë proces, njofton Presidenca.

“Gjermania ka qenë një aleate tradicionale e popullit të Kosovës dhe ne e vlerësojmë shumë këtë mbështetje në përpjekjet tona për ta forcuar praninë dhe partneritetin tonë ndërkombëtar”, citon Osmanin Presidenca.

Osmani dhe Roth, ndër tjerash, “diskutuan edhe për Procesin e Berlinit”, siç thuhet në njoftim. Presidentja ka ritheksuar “mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces”.

“Një pjesë e diskutimit në takim u fokusua edhe në procesin e dialogut me Serbinë”, thuhet në fund të njoftimit.


(Kosova Sot Online)