Abdixhiku: Faruk Spahija, i dha shumë kauzës së përbashkët për liri dhe demokraci

  • A.P /
  • 03 October 2024 - 10:17
Abdixhiku: Faruk Spahija, i dha shumë kauzës së përbashkët për liri dhe demokraci

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar veprimtarin e kësaj partie dhe ish-kryetarin e Mitrovicës, Faruk Spahija, në 19 vjetorin e vdekjes së tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Abdixhiku ka thënë se Spahija i dha shumë vendit dhe kauzës së përbashkët për liri dhe demokraci.

“Spahija, ishte një nga themeluesit e LDK-së në Mitrovicë dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova. Në orët më të rënda për Kosovën, ai punoi me përkushtimin më të madh si kryetar i komunës së Mitrovicës, duke udhëhequr me ndershmëri dhe vizion për të ardhmen.

Përkushtimi i tij ndaj qytetarëve dhe vendit, si dhe roli i tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë! Le të jetë kujtimi i tij një frymëzim për të gjithë ne, për ta vazhduar rrugën që ai trasoi me përkushtim e dashuri për Kosovën. I përhershëm kujtimi për njeriun e urtë e të dinjitetshëm, kryetarin e parë të zgjedhur të Komunës së Mitrovicës – ikonën e këtij qyteti, Faruk Spahija!”, ka deklaruar Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)