Izraeli nis sulme të reja në Bejrut

  • A.P /
  • 05 October 2024 - 09:06
Izraeli nis sulme të reja në Bejrut

Izraeli ka nisur sulme të reja ajrore në Bejrut gjatë natës, me një seri shpërthimesh të forta dhe shtëllunga të mëdha tymi të raportuara në jug të kryeqytetit në orët e para të së shtunës. Ushtria izraelite kishte kërkuar më herët evakuimin e pjesëve të periferive jugore të Bejrutit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sulmet, pjesë e një sulmi më të gjerë që ka përzënë më shumë se 1.2 milionë libanezë nga shtëpitë e tyre, pasuan bombardimet intensive të enjten mbrëma që thuhet se kishin në shënjestër Hashem Safieddine, kandidatin më të mundshëm për të zëvendësuar Hassan Nasrallah si udhëheqës të Hezbollahut. Fati i tij mbetet ende i paqartë, shkruan The Guardian.

Ndaras, Hezbollah tha se ishte i përfshirë në përleshjet e vazhdueshme me ushtarët izraelitë pranë kufirit jugor të Libanit, duke thënë se ushtarët izraelitë kishin ripërsëritur një përpjekje për të avancuar drejt fshatit Adaysseh.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka mbërritur në Damask për të diskutuar zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe me zyrtarët sirianë, tha të shtunën zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane.

Kjo vjen pasi udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, mbajti një predikim të rrallë publik në Teheran të premten, duke u zotuar se Hezbollahu në Liban dhe Hamasi në Gaza do të rishfaqen fuqishëm me liderë të rinj dhe duke mbrojtur sulmin me raketa balistike si “ligjore dhe legjitime” mbi Izraelin këtë javë.

Araghchi ka bërë një raund thirrjesh diplomatike, përfshirë ministrat e jashtëm europianë, duke këmbëngulur se Irani nuk po kërkonte përshkallëzim dhe duke pretenduar se, ndryshe nga sulmet izraelite në Liban, objektivat e Iranit kishin qenë rreptësisht ushtarake dhe jo civile.

(Kosova Sot Online)