Bosch: Në kohën time situata në veri ka qenë jashtëzakonisht e keqe
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, nuk po pajtohet me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kritikojnë Qeverinë e Kosovës për veprimet në veriun e vendit. Ai thotë se në të kaluarën grupet kriminale e bënin ligjin në veri. Bosch, mes tjerash ka folur edhe për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, ku thotë se duhet të hapet në koordinim me KFOR-in, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ish-diplomati holandez, Robert Bosch, po vazhdon t’i ndjekë me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë.
Bosch, ka sugjeruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që të koordinohet me KFOR-in para se të marrë një vendim për hapjen e Urës së Ibrit për lëvizjen e lirë të automjeteve.
Pasi, sipas tij, hapja e tërësishme e urës mund të nxis reagime te grupet ekstreme në veri.
“Para se të marrë një vendim të tillë për hapjen e Urës së Ibrit, kryeministri Kurti bën mirë që ta studioj situatën në terren sepse mund të nxis reagimin e grupeve ekstreme. Natyrisht që duhet të ketë koordinim edhe me trupat e KFOR-it sepse ata janë vazhdimisht në terren. Megjithatë mendoj se tani situata e sigurisë në veri është më mirë sesa në të kaluarën, andaj edhe nuk po pajtohem me kritikat që SHBA-ja po i bën në drejtim të Qeverisë sa i përket kësaj çështjeje”, tha Bosch.
Bosch, thotë se tani situata e sigurisë është shumë më mirë në veri se sa kur ishte ai në Kosovë.
Ai thekson se më herët grupet kriminale e bënin ligjin në veri.
“Në kohën time situata në veri ka qenë jashtëzakonisht e keqe sepse kriminelët e bënin ligjin në atë zonë. Ishte një zonë e kontrolluar nga mafiozët që bënin çfarë donin dhe nuk ndëshkoheshin për krimet e kryera. Mos ta harrojmë faktin se ata gëzonin mbështetje të fortë edhe nga Beogradi. Tani më nuk është e njëjta histori”, tha ish-diplomati holandez.
Ai ka folur edhe për masat ndëshkuese ndaj Kosovës ku i vlerëson si të padrejta.
“Masat ndëshkuese për mua janë të çuditshme. Sepse kur dy palë janë duke negociuar ju nuk mund ta ndëshkoni vetëm njërën palë e cila ishte shumë më konstruktive kur u arrit Marrëveshja e Ohrit. Ku janë masat ndëshkuese ndaj Serbisë e cila tha publikisht se disa pika të marrëveshjes janë të papranueshme për ta. Pra Serbia e shkel qartazi këtë marrëveshje dhe nuk ka ndëshkim”, deklaroi ai.
Amerikanët dhe evropianët janë shprehur të pakënaqur me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veriun e vendit.
Kosova, vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian prej verës së vitit 2023.
(Kosova Sot Online)