Dyshime se puna e bërë nga gurëthyesit mund të jetë shkaktare e tragjedisë në Jabllanicë
Gur pas guri. Për 23 vjet rresht. Kaq kohë është dashur për të gërmuar dolomit – material ndërtimor – prej një guroreje rreth 500 metra prej shtëpive në vendbanimin Donja Jabllanica, ku, sipas të dhënave të fundit, kanë vdekur 16 persona, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ata kanë humbur jetën në ditët e fundit si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, të shkaktuara prej reshjeve të mëdha të shiut.
Dyshimeve se puna e bërë nga gurëthyesit mund të jetë shkaktare e tragjedisë në Jabllanicë, u ka dhënë së pari jehonë kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Nikshiq.
Ai ka thënë se dëmi në Donja Jabllanicë nuk do të kishte qenë kaq i madh, dhe as nuk do të kishte kaq shumë viktima, nëse pjesa rreth gurores nuk do të ishte shembur.
Këto deklarata kanë nxitur Zyrën e Prokurorit në kantonin Neretva të Hercegovinës, që të nisë një rast dhe të angazhojë disa prokurorë në këtë lëndë.
“Po ndërmarrim të gjitha masat, me qëllim të vërtetimit të ndonjë përgjegjësie dhe rolit të faktorit njeri në këtë tragjedi në Jabllanicë”, është thënë në deklaratën e Zyrës së Prokurorit, duke shtuar se janë duke analizuar aktivitetet e gurores që gjendet në atë zonë.
(Kosova Sot Online)