Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kroaci
Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kroaci, ku do të përfaqësojë Kosovën në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Osmani do të pritet në këtë samit nga Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, me ftesë të së cilit ka shkuar atje, dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, teksa do t’u bashkohet liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore në seancën plenare. Në këtë seancë, Osmani do të mbajë edhe fjalim.
“Gjatë këtij samiti, pritet të riafirmohet mbështetja e palëkundur për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, rëndësia e sanksioneve kundër Rusisë, bashkëpunimi me BE-në dhe mbështetja e vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në njoftim thuhet se përveç pjesëmarrjes në seancën plenare, Osmani do të zhvillojë takime edhe me homologët e saj.
(Kosova Sot Online)