Deklarohen të pafajshëm, tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë

  • A.P /
  • 09 October 2024 - 10:46
Deklarohen të pafajshëm, tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt të mërkurën seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën dy të akuzuar, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, nuk pranuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykatësi i rastit konstatoi se me ligj, ky veprim do të thotë se ata nuk e pranojnë fajësinë.

I akuzuari i tretë i pranishëm në sallën e gjyqit, Dushan Maksimoviq, u deklarua i pafajshëm.

Avokati i Spasojeviqit, Lubomir Pantoviq, tha se të akuzuarit kanë të drejtë ta pranojnë ose ta pranojnë pjesërisht fajësinë në një fazë të mëvonshme.

Seanca e së mërkurës nisi me leximin e emrave të të akuzuarve që ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori lexoi aktakuzën.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre – Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq – janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.

Pas seancës së sotme, mbrojtja i ka 30 ditë kohë për të apeluar aktakuzën.


(Kosova Sot Online)