Pse i shpenzoi BE gabimisht 10.7 miliardë euro?
Bashkimi Evropian shpenzoi gabimisht rreth 10.7 miliardë euro në vitin buxhetor 2023, sipas një vlerësimi të Gjykatës Evropiane të Audituesve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kjo Gjykatë, e cila është ngritur për të kontrolluar nëse buxheti i BE-së është shpenzuar në përputhje me rregullat e bllokut, thotë se vitin e kaluar shkalla e shpenzimeve të gabuara ishte më e larta e viteve të fundit, ku BE-ja kishte miratuar 191 miliardë euro shpenzime.
Në raportin vjetor, Auditi nënvizon se norma u rrit në 5.6%, nga 3% që ishte në vitin 2021 dhe 4.2% një vit më vonë.
Shpenzimet e gabuara mund të ndodhin si rezultat i gabimeve të kontabilitetit ose kur fondet shkojnë drejt diçkaje tjetër nga ajo për të cilën janë menduar. Ndërkohë, në raste të rralla, ato ndodhin edhe për shkak të mashtrimit.
“Gabimet që audituesit kanë gjetur më shpesh lidhen me pretendime për kosto të papërshtatshme, projekte, aktivitete ose përfitues të papërshtatshëm,” vë në dukje raporti.
(Kosova Sot Online)