SHBA: Sistemi zgjedhor ka shumë masa mbrojtëse
Me siguri që keni dëgjuar për disa prej teorive më të pabesueshme mbi zgjedhjet amerikane: dikush që voton disa herë, apo ata që votojnë në emër të të afërmve të vdekur, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ndonëse rallë, mashtrimi me votën ndodh. Kur ndodh, lajmi përhapet menjëherë. Rastet, megjithatë zbulohen dhe ndiqen penalisht.
Proceset zgjedhore për nivele të ndryshme të pushtetit në Shtetet e Bashkuara ofrojnë shumë garanci. Këto garanci janë arsyeja pse manipulimet kapen me lehtësi dhe janë të rralla, sipas zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm zgjedhorë nga të dyja partitë.
Procesi zgjedhor në Amerikë është i decentralizuar. Ekzistojnë mijëra juridiksione të pavarura votimi. Kjo e bën praktikisht të pamundur një manipulim masiv të votave, që do të mundësonte ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, apo edhe të ndonjë garë tjetër zgjedhore.
“Ndoshta nuk kemi një sistem zgjedhor të përsosur”, thotë republikani Trey Grayson, ish Sekretar i Shtetit të Kentakit dhe drejtues i bordit këshillues të Projektit për Mbrojtjen e Zgjedhjeve. “Por, nëse dëshironi një sistem të cilit mund t’i besoni, padyshim që duhet të ndiheni mirë për atë që kemi në Amerikë”, thotë ai.
Çfarë i pengon njerëzit të manipulojnë me votat?
Të votosh disa herë, të dëmtosh votat e hedhura, të gënjesh në lidhje me adresën e banimit me qëllim që të votosh diku tjetër, apo edhe të hedhësh votën në emër të një individi tjetër, janë krime për të cilat ka dënime të rënda, nga gjoba deri burg. Ata që nuk janë shtetas amerikanë dhe shkelin ligjet e zgjedhjeve mund të deportohen.
Për të gjithë ata që janë të prirur për të mashtruar, sistemet zgjedhore në Shtetet e Bashkuara janë të ndërtuara me disa shtresa mbrojtjeje dhe janë transparente, duke e bërë sistemin të sigurt.
Shumica e shteteve kërkojnë nga votuesit të kenë një lloj karte identifikuese kur shkon për të votuar. Disa shtete të tjera kanë mënyra të tjera për të verifikuar identitetin e votuesit, për shembull kërkohet emri dhe adresa e banimit, të nënshkruash në një dokument zgjedhor, apo të nënshkruash një deklaratë përpara zyrtarëve të zgjedhjeve.
Individët që duan të votojnë duke shfrytëzuar emrin e një të afërmi, apo miku të vdekur, mund të zbulohen kur zyrtarët e zgjedhjeve rifreskojnë listat e votuesve me të dhënat e fundit për shtetasit e vdekur, thotë Gail Pellerin, anëtare demokrate në Asamblenë e Kalifornisë e cila e ka drejtuar procesin zgjedhor në qarkun Santa Cruz për 27 vjet.
Ata që shfrytëzojnë identetin e një shtetasi tjetër rrezikojnë të kapen nga një zyrtar zgjedhor që mund ta njohë personin, apo kur personi shkon vetë për të votuar, thotë më tej ajo.
Cilat janë masat mbrojtëse për votimin me postë?
Për votat e dërguara me postë, shtetet kanë rregulla të ndryshme verifikimi. Të gjitha shtetet kërkojnë nënshkrimin e votuesit. Shumë shtete kanë masa shtesë, si për shembull verifikimi nga zyrtarë të të dyja partive i firmës së votuesit dhe krahasimi i firmës me atë që votuesi ka përdorur në dokumente të tjera që janë në dosjen e tij.
Një numër në rritje shtetesh i ofrojnë mundësi votuesit që të ndjekë përmes teknologjisë dixhitale të ndjekë çdo hap të fletëvotimit, që nga dërgimi, mbërritja në qendër dhe numërimi i saj.
Ligji federal kërkon përditësimin e listës së votuesve dhe zyrtarët e zgjedhjeve e bëjnë këtë nëpërmjet një sërë metodash, nga kontrolli i bazave të të dhënave shtetërore dhe federale, deri te bashkëpunimi me shtetet e tjera për të hequr prej listave votuesit që janë zhvendosur.
Kutitë e votimit kanë gjithashtu protokolle sigurie, thotë Tammy Patrick, drejtuese e programeve në Shoqatën Kombëtare të Zyrtarëve Zgjedhorë.
Ajo shpjegon se kutitë vëzhgohen me kamera, janë të fiksuara në dysheme dhe të ndërtuara me materiale që i rezistojnë zjarrit, kështu që nëse dikush hedh një shkrepëse të ndezur, nuk do të ketë mundësi të djegë fletët e votimit brenda.
Pretendimet për manipulime shpesh nuk janë të vërteta
Pas zgjedhjeve të vitit 2020, rrjetet sociale u mbushën me pretendime se ishin hedhur shumë vota duke shfrytëzuar identitetin e njerëzve të vdekur, se shumë individ kishin votuar më shumë se një herë, apo se grumbuj votash ishin shkatërruar.
Ish Presidenti Donald Trump vazhdon t’i bëjë këto pretendime, por shumica e tyre janë verifikuar si të pavërteta.
Një hulumtim i agjencisë së lajmeve ‘Associated Press’ mbi pretendimet e zotit Trump për manipulime me votat në gjashtë shtete fushëbetejë, zbuloi se ishin vetëm 475 vota të parregullta, nga miliona vota të hedhura në kutitë e votimit. Kjo nuk kishte mundësi të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve. Joe Biden fitoi në të gjashtë shtetet me një diferencë totale prej mbi 311 mijë votave.
Çdo rast i hulumtuar nga ‘Associated Press’ kishte të bënte me individë që kishin vepruar vetëm, pa ndonjë bashkëpunëtor që synonte të manipulonte rezultatin e votimit. Në njërin prej rasteve, një burrë gabimisht kishte menduar se mund të votonte ndërsa ishte liruar nga burgu me kusht. Në një rast tjetër, një grua dyshohet se kishte dërguar me postë fletën e votimit në emër të nënës së saj të vdekur.
Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se shpesh dyshimet për manipulime me votat dalin të jenë gabime apo keqkuptime të paqëllimshme.
Drejtuesja e zyrës zgjedhore në qarkun Santa Cruz të Kalifornisë, Gail Pellerinit, kujton se si një kandidat në qarkun e saj ngriti dyshimin se nga e njëjta adresë, ishin regjistruar shumë njerëz për të votuar. Pas hetimit doli se ky rast kishte të bënte me murgesha që jetonin në të njëjtën adresë.
Drejtuesja e programeve të Shoqatës Kombëtare të Zyrtarëve Zgjedhorë, Tammy Patrick kujton kohën kur punoi për zgjedhjet në qarkun Maricopa të Arizonës, ku disa nënshkrime në fletë votime nuk përputheshin me dokumente të tjera. Sipas saj, kjo u sqarua me faktin se disa njerëz kishin nënshkruar fletët e votimit pasi kishin thyer dorën apo kishin mbijetuar goditje në tru. Në raste të tjera, sipas saj, një i moshuar kishte shkuar për të votuar për herë të dytë, pasi kishte harruar që e kishte dërguar votën më parë me postë.
“Patjetër duhet të mendosh për qëllimet e votuesit”, thotë zonja Patrick. “Nuk është gjithmonë e qëllimshme”.
Pse manipulimet me vota nuk kanë mundësi të ndikojnë tek zgjedhjet presidenciale?
Është gabim të mendohet se manipulimi me vota nuk ndodh asnjëherë.
Në një vit zgjedhor, kur hidhen miliona vota, është pothuajse e garantuar që do të ketë disa raste të individëve që duan të mashtrojnë sistemin. Ka patur edhe raste kur është bërë përpjekje për të blerë votat siç ishte rasti i vitit 2006 në Kentaki.
Në atë rast, zoti Trey Grayson, ish Sekretar i Shtetit të Kentakit thotë se votuesit u ankuan dhe u hap një hetim. Ata që morrën pjesë në atë skemë e pranuan se çfarë kishin bërë.
Ai thotë ky shembull tregon se sa e rëndësishme është për zyrtarët zgjedhorë të tregohen shumë të kujdesshëm dhe vazhdimisht të përmirësojnë sigurinë me qëllim që të ndihmojnë votuesit të kenë besim në sistemin zgjedhor.
Por, shton ai, është e vështirë të krijosh një skemë të tillë që do të ndikonte në nivel kombëtar. Mashtruesit duhet të tejkalojnë nivele të shumta sigurie në secilin sistem zgjedhor të qarqeve.
Ata gjithashtu duhet të bindin një mori njerëzish të mos flasin për krimin që mund të vërehet nga çasti në çast nga zyrtarët e zgjedhjeve apo vëzhguesit
“Natyra e decentralizuar e zgjedhjeve është vetvetiu një pengesë për manipulim”, thotë zoti Greyson.
(Kosova Sot Online)