Universiteti ‘Haxhi Zeka’ organizoi konferencën e I-rë Shkencore Ndërkombëtare mbi zhvillim rajonal të qëndrueshëm ne bashkepunim me MZHR-në
Universiteti “Haxhi Zeka” në bashkëpunim me Ministrine e Zhvillimin Rajonal te Republikes se Kosoves, me Institutin e Kërkimit Shkencor për Zhvillim të Qëndrueshëm (IKSZQ) dhe universitetet partnere ndërkombëtare nga Spanja, Turqia, Kroacia, Greqia, Lithuania, Japonia, Portugalia, Hungaria dhe Shqiperia, mirëpriti Konferencën e Parë Ndërkombëtare mbi Zhvillimin Rajonal të Qëndrueshëm me temë “Tranzicioni Demografik në vitin 2050 dhe Politikat Rajonale”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kjo ngjarje e rëndësishme, e cila u mbajt me 10-11 tetor, në ambientet e Bibliotekes Kombetare te Kosoves, tërhoqi vëmendjen e ekspertëve ndërkombëtarë, akademikëve dhe vendimmarrësve, të cilët u mblodhën për të diskutuar sfidat e mëdha që tranzicioni demografik do të sjellë në rajon dhe më gjerë.
Tranzicioni demografik, një fenomen që pritet të ndikojë ndjeshëm në strukturat ekonomike, sociale dhe mjedisore deri në vitin 2050, është fokus i shumë debateve globale, ndërsa politikat rajonale po përballen me nevojën për t’u përshtatur me ndryshimet që pritet të vijnë. Kjo konferencë synon të krijojë një platformë për shkëmbimin e ideve dhe përvojave të reja, duke bashkëpunuar për të hartuar strategji që përballojnë këto sfida me zgjidhje të qëndrueshme.
Konferenca u hap me fjalime nga përfaqësues të universiteteve organizatore dhe ekspertë të fushës, të cilët vunë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në krijimin e politikave të qëndrueshme për të adresuar ndryshimet demografike që do të prekin rajonet në dekadat e ardhshme. Diskutimet kryesore u përqendruan në ndikimin e këtyre ndryshimeve në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, si dhe në mjedisin natyror, me theks të veçantë në rolin e institucioneve akademike në nxitjen e hulumtimeve dhe inovacioneve për zgjidhjen e këtyre sfidave.
Rektori i universitetit “Haxhi Zeka” Prof. Dr. Armand Krasniqi, nder te tjera theksoi “Universiteti “Haxhi Zeka” ka arritur të shënojë një sukses të rëndësishëm në renditjen ndërkombëtare “Times Higher Education” për Qëndrueshmëri, duke u bërë institucioni i parë publik në Kosovë që përmbush 7 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG’s). Kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të adresuar sfidat globale përmes edukimit dhe kërkimit. Për vitin e ardhshëm, ne synojmë të zgjerojmë këtë angazhim, duke shtuar objektiva të reja që do të kontribuojnë në përmirësimin e renditjes sonë dhe në afirmimin e mëtejshëm të universitetit dhe vendit tonë në skenën ndërkombëtare. Gjatë konferencës u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit “Haxhi Zeka” dhe Universitetit Publik të Rijekes nga Kroacia.
Nëpërmjet paneleve të shumta, të cilat përfshinin pjesëmarrës nga vende të ndryshme, u trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me urbanizimin dhe migracionin, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe përvojave mbi politikat rajonale që mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm.
Dr. Refike Sülçevsi, Drejtoreshë e Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal theksoi rëndësinë e kësaj konferencë dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme të ministrisë për bashkëpunim të mëtejshëm me institucionet shkëncore të arsimit të lartë si këshillues në politikëbërje dhe vendimmarrje rreth tematikave që nderlidhen me zhvillimin rajonal sipas udhëzimeve te objektivave globale të zhvillimit te qëndrueshëm (SDG’s) per mirëqeverisje me ndikim të gjerë shoqëror në Republikën e Kosoves.
Kryesuesi i panelit shkencor Prof. Ass. Dr. Filip Ruxho, Professor Assistnet ne Fakultetin e Agrobiznesit te UHZ-se, theksoi se konferenca në kombinim me shpejtësinë e lartë qe ofron teknologjia e informacionit dhe funksionimi i inteligjencës artificiale, synon të identifikojë dhe te veçojë ato variablat teritoriale (spatial variables) që do të rezultojnë si avantazhet krahasuese të politikës rajonale për një zhvillim të balancuar të rajoneve të Kosovës dhe zhvillimin e balancuar të Kosovës në rajonin e Ballkanit dhe atë Evropian. Shkencëtaret e dalluar pjesëmarrës, synojnë të vecojnë aktivitetet produktive që ka pasur, ka dhe mund të ketë Kosova në të ardhmen në bashkëpunim me ekonomitë e fqinjëve tanë, me Bashkimin Evropian dhe me potencialin e njësive hapësinore rajonale, që do të bëjnë të mundur zhvillimin e balancuar dhe te qendrueshem të Kosovës. Qëllimi i Zhvillimit rajonal, është për një politikë të suksesshme rajonale qe parandalon si migrimin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm të qytetarëve të vendit tonë të Kosovës.
Ai gjithashtu theksoi se sot Kosova, ka liderë dhe lidership të frymëzuar, të rinj dhe të aftë që ne bashkepunim me komunitetin shkencor mund te zhvilloje industrite e speciaizuara te teknoligjise dhe te informacionit dhe te krijojne avantazhe krahasusese dhe konkurruese te cilat do te kontribojne ne reduktimin e pabarazive territoriale dhe sigurojnë një zhvillim të balancuar dhe të qëndrueshëm të rajoneve të Republikës së Kosovës.
Universiteti “Haxhi Zeka” luajti një rol kyç në organizimin e kësaj ngjarjeje, duke përforcuar angazhimin e tij për të qenë një institucion aktiv në nxitjen e dialogut dhe hulumtimit për zgjidhje afatgjata për çështje globale të qëndrueshmërisë. Kjo konferencë vjen si pjesë e një nisme më të gjerë të universitetit për të kontribuar në zhvillimin rajonal, përmes hulumtimeve të avancuara dhe bashkëpunimeve ndërinstitucionale, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi mes komunitetit akademik dhe institucioneve publike dhe private.
Pjesëmarrësit u shprehën optimistë për impaktin e diskutimeve që dolën nga kjo konferencë dhe u zotuan të vazhdojnë përpjekjet për të përfshirë perspektiva inovative dhe të qëndrueshme në politikat e ardhshme rajonale, duke kontribuar në një të ardhme më të mirë për komunitetet lokale dhe më gjerë.
(Kosova Sot Online)