
Abazi: Mimoza Kusari - Lila ka bërë pazare me Radoiçiqin me urdhër të Albin Kurtit

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tash i pavarur, Haki Abazi, ka thënë se shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila ka shkuar dhe ka bërë pazare me kriminelin Millan Radoiçiq me urdhër të kryeministrit Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Abazi tha se ka marrë një informatë se përveç Kusari-Lilës, ka edhe nga njerëz të tjerë nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët sipas tij, kanë folur me Radoiçiqin.
“Me urdhër të Kurtit ka shkuar dhe ka bërë pazare me Radoiçiqin. Po duket, nuk dua ta marrë autorësinë e atij lajmi, është që ka pasur pazare edhe para kësaj punës së veteranëve. Pra, që nga fillimi është diskutuar me Radoiciqin për t’i marrë votat e Listës Serbe. Është informacion që e kam marrë sot gjatë seancës. Është informacion i sigurt por besoj se autori do ta thotë vet”.
“Është shumë lajm i madh dhe nuk po e bëjë për kureshtje të qytetarëve, por nuk dua ta marrë autorësinë e këtij lajmi, të bashkëpunimit të VV-së me Radoçiqin që nga fillimi i mandatit të Qeverisë Kurti. Bashkë me të tjerë nga VV-ja, nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai në Klan Kosova.
Më tej, Abazi tha se VV-ja e ka marrë dënimin e merituar, duke e vendosur në krye të grupit parlamentar Kusari-Lilën, që sipas tij, nuk ka lënë parti pa e përça.
“VV-ja e ka marrë dënimin e merituar, duke e qitur në krye të grupit parlamentar një njëri e cila nuk ka lënë parti pa e bërë copë-copë. Kudo që ka shkuar ajo, ka krijuar armiqësi, përçarje dhe dosje të rrejshme për njerëzit që të mund të qëndrojë në politikë si njeri relevant”, tha ai.
(Kosova Sot Online)