Stano: Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen

  • A.P /
  • 16 October 2024 - 13:00
Stano: Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen

Kryeministri Albin Kurti u bë i zëshëm në kërkesën e tij për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës në takimet që zhvilloi në kuadër të Procesit të Berlinit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai i kërkoi kancelarit gjerman Olaf Scholz mbështetje për largim të tyre dhe po të njëjtën kërkesë e pati edhe në takim me kryediplomatin italian Antonio Tajani.

Kësaj kërkese të Kurtit i dha përgjigje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

 “Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare”, u përgjigj Stano.

Ai bëri të ditur se diskutimet për këtë çështje vazhdojnë të zhvillohen mes shteteve të bllokut, derisa përmendi edhe raportin e shefit të tij, kryediplomatit Josep Borell, në të cilin rekomandohej heqja e këtyre masave.

“Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një deklaratë në emër të BE-së, i pasuar nga raporti i Përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, tha Stano.

(Kosova Sot Online)