Ja kush e kritikon Konjufcën që s’udhëhoqi seancat e thirrura nga opozita

  • A.P /
  • 17 October 2024 - 16:01
Ja kush e kritikon Konjufcën që s’udhëhoqi seancat e thirrura nga opozita

Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se është e paprecedentë që partitë në pushtet ta përdorin bojkotin si instrument politik parlamentar kur ata duhet të ishin përgjegjës për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

KDI thotë se është i papranueshëm veprimi i kryekuvendarit Konjufca që të shmangë udhëheqjen e seancave të thirrura nga opozita.

“Është e paprecedentë që bojkoti si instrument politik parlamentar, shfrytëzohet nga partitë në pushtet, të cilat, në fakt, do të duhej të ishin përgjegjëse për funksionimin dhe mbarëvajtjen e punimeve plenare të Kuvendit. I papranueshëm është edhe veprimi i kryetarit Glauk Konjufca për të shmangur udhëheqjen e seancave të fundit të thirrura nga opozita – përkundër që ky përbën një obligim të tij kushtetues.”

KDI shton se Kuvendin e presin marrëveshjet ndërkombëtare, buxheti për vitin e ardhshëm dhe disa projektligje tjera. Sipas këtij instituti nëse vazhdon sabotimi rrezikohet vendimmarrja dhe krijohet polarizim që reflekton negativisht.

“Në periudhën e mbetur, Kuvendin e pret vendimmarrja për marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, dhe një sërë projektligjesh që kanë ndikim në proceset ekonomike dhe integruese të Kosovës. Vazhdimi i praktikave sabotuese të jetës parlamentare nga pozita dhe shfrytëzimi i Kuvendit si platformë për qëllime elektorale, e rrezikon këtë vendimmarrje dhe i kontribuon polarizimit, që reflekton negativisht edhe tek qytetarët, sidomos tani në prag të zgjedhjeve.”

“Për një proces parlamentar të qëndrueshëm dhe produktiv, opozitës duhet ti garantohet hapësira e nevojshme për debat. Në anën tjetër, për miratimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, partia në pushtet duhet t’i sigurojë numrat e nevojshëm dhe për këtë duhet të ju prijë përpjekjeve për konsensus me partitë opozitare.”

(Kosova Sot Online)