Bajrami: Vetëvendosje këtë indiferencë do ta paguajë me vota më 9 shkurt të vitit 2025

  • A.P /
  • 24 October 2024 - 12:00
Bajrami: Vetëvendosje këtë indiferencë do ta paguajë me vota më 9 shkurt të vitit 2025

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konsideruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përballet në Kuvend e që sipas saj kjo nuk i përshtatej as kur ishte në opozitë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo në një përgjigje për lajmi.net ka bërë një krahasim të Lëvizjes Vetëvendosje sa ishin në opozitë dhe tani që janë në pushtet.

“LVV ka histori të braktisjes së seancave, vetëm se ka një dallim. Kur kanë qenë në opozitë zakonisht nuk pajtoheshin me politikat e Qeverisë, bllokonin seancat me gaz lotsjellës duke pamundësuar zhvillimin e tyre, nuk merrnin pjesë në votime kur nevojiteshin 2/3 e votave, si rasti votimit të marrëveshjes së parë kontraktuale më BE-në, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ku deputetët e LVV-së e patën lëshuar sallën, por tani duke pasur shumicën absolute në Kuvend, duke udhëheqë me qeverinë, duke pasur të gjitha nivelet e pushtetit nuk ka shpjegim mospjesëmarrja e tyre në seancë. Thjeshtë është ikje nga përgjegjësia”, ka thënë Bajrami për lajmi.net.

Ajo ka thënë se ndonëse qytetarët i kanë votuar për disa kërkesa, vetë partia në pushtet nuk po i realizon ato.

“Nuk janë vetëm tri seancat e fundit ku mazhoranca i ka ikë debatit, ka pasur edhe raste të tjera dhe kjo do të dënohet nga qytetarët me votë. Ka një vit që opozita e ka kërkuar një debat parlamentar për punën tri vjeçare të Qeverisë dhe ai debat nuk u mbajt asnjëherë, sepse s’ka rezultate, ka vetëm dështime dhe sipas tyre është me mirë që një temë e tillë të mos diskutohet fare. Tri seancat e fundit për furnizimin me ushqim të ushtrisë, koordinimi i qeverisë dhe grupit parlamentar të LVV-së me kriminelin Radojçiq dhe mandej shlyerja e paligjshme e borxheve të ambalazhuesve të ujit, janë të gjitha tema të pamundshme për tu mbrojtur, kështu që në mungesë të argumenteve mbrojtëse deputetët e LVV-së vendosën bojkotin e seancave, të vetëm gjë që dinë të bëjnë”, ka thënë Bajrami.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se këtë “indiferencë” të tyre ndaj qytetarëve, do ta paguajnë me vota më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

(Kosova Sot Online)