Peci: Nuk do të ndalemi deri në rikthimin e të gjitha pronave të tjetërsuara

  • A.P /
  • 24 October 2024 - 16:00
Peci: Nuk do të ndalemi deri në rikthimin e të gjitha pronave të tjetërsuara

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka njoftuar se kanë rikthyer një pronë të MBPZHR-së, në qendër të Prishtinës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se kjo pronë do t’i kalojë për menaxhim Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Ai paralajmëroi se nuk do të ndalet deri të rikthej të gjitha pronat e tjetërsuara.

“Pas më shumë se 20 vitesh, prona i kthehet titullarit / Ministrisë së Bujqësisë. Me përkushtim dhe vendosmëri vazhdoj të mbajë premtimin tim për rikthimin e pronave të MBPZHR-së. Kësaj radhe në qendër të Prishtinës, në afërsi të objektit të Qeverisë, APK pas identifikimit ka rikthyer në posedim një pronë prej 138 m² në Prishtinë, e cila sipas ligjit për Pyjet (I aprovuar vitin e kaluar) është pasuri shoqërore që i kalon për menaxhim Agjencisë Pyjore të Kosovës.  Pas një periudhe të gjatë mbi 20 vjeçare, kjo pronë tani i rikthehet titullarit për t’u shfrytëzuar për nevojat e institucionit. Pas konfirmimit të dokumentacionit për pronësinë, MBPZHR-APK do ta menaxhojë këtë pronë pa asnjë kontestim dhe në përputhje me ligjin.  Jemi të angazhuar për të siguruar që të gjitha pronat që i takojnë ligjërisht MBPZHR-APK të merren në posedim dhe të menaxhohen në mënyrë efektive. Nuk do të ndalemi deri në rikthimin e të gjitha pronave të tjetërsuara!”, ka thënë Peci.

(Kosova Sot Online)