Osmani: BE duhet të tregohet e vendosur në raport me Serbinë si satelit i Putinit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën për media pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të tregohet i vendosur në raport edhe me Serbinë si satelit i Putinit, njëjtë siç është treguar ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Osmani ka thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet sidomos sa i përket përgjegjësisë së shtetit të Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë
“Mezi presim që të zbatojmë reformat e planit dhe të përfitojmë sa më shumë në vijim. Kosova do të jetë përfituesja më e madhe për kokë banori dhe do të na ofrojë në vlerat e BE-së.
Kosova shquhet për afrimin 100 % me politikën e sigurisë së BE-së. Kemi mbështetur Ukrainën me dërgim të armëve, e ushtrimeve ushtarake, është vetëm një shembull i përkushtimit tonë për paqen dhe stabilitetin dhe për vlerat evropiane”, ka thënë Osmani.
“Kosova ka dëshmuar se përafrimi me politikat e BE-së s’janë vetëm fjalë por vepra konkrete. Është fat i keq për sigurinë tonë dhe për vetë luftën e Ukrainës që në Ballkanin Perëndimor që një shtet vazhdon të jetë një satelit i Rusisë. Është koha e fundit që BE-ja të tregojë vendosmërinë, siç ka treguar për Rusinë, të tregojë edhe për satelitët dhe shërbyesve të Rusisë në rajon. Kjo sidomos është e rëndësishme sa i përket përgjegjësisë së Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës, që sipas Shtëpisë së Bardhe pati synim të destabilizojë të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar tutje presidentja Osmani.
(Kosova Sot Online)