Konjufca reagon pas sulmit fizik ndaj kryetarit të Pejës

  • A.P /
  • 26 October 2024 - 16:12
Konjufca reagon pas sulmit fizik ndaj kryetarit të Pejës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Konjufca thotë se një akt i tillë është i papranueshëm në shoqërinë kosovare që mjet dhe qëllim ka vetëm demokracinë.

Kreu i Kuvendit ka thënë se dhuna s’ka qenë zgjidhje asnjëherë dhe ka kërkuar nga organet e rendit zbardhjen e ngjarjes dhe dhënien e dënimit të merituar.

“E dënoj sulmin ndaj Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, si një akt të papranueshëm për shoqërinë tonë që për mjet dhe qëllim ka vetëm demokracinë. I uroj shërim të shpejtë e shëndet të plotë!

Dhuna kurrë nuk ka qenë zgjidhje e kurrë nuk do të zë vend, sepse jemi të vendosur kundër saj.

Mbështes organet përkatëse në punën e tyre për zbardhje të plotë të ngjarjes dhe bëj thirrje që organet e drejtësisë ta ndjekin në plotni rastin dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Konjufca.

(Kosova Sot Online)