Kurti: Kosova nuk ka asnjë faj për gjendjen në të cilën ndodhet
Kryeministri thotë se Kosova “nuk ka asnjë faj” për eskalimin në veri të vendit, pasi u pyet se çfarë i ka thënë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen se duhet të bëjë për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Albin Kurti tha në një konferencë për media se “burimi i tensioneve është Serbia”.
“Kosova nuk ka asnjë faj sa i përket eskalimit të situatës në veriun e Kosovës në vitin 2023. Ishin ato bandat kiriminale, ato turmat fashiste, të cilat lënduan mbi 90 ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës e gazetarë pa dallim. Barrikadat kur u vendosën, sulmi në Banjska, gjithçka tregon që burimi i përpjekjeve për destabilizim dhe i eskalimit të tensioneve vjen nga fqinji ynë verior, nuk është burim i brendshëm i Kosovës, nuk është as nga serbët e Kosovës. Është nga Serbia si shtet, Beogradi zyrtar si kryeqytet”, tha ai.
“Prandaj Kosova nuk ka asnjë faj për gjendjen në të cilën ndodhet. Ne vetëm kemi zbatuar ligj. Kur na është thënë që duhet ta sqarojmë nenin 72 për vetqeverisje lokale lidhur me zgjedhjet e parakohshme në 4 komunat veriore, e kemi aprovuar udhëzimin përkatës administrativ”, tha Kurti, duket treguar kronologjikisht ngjarjet dhe zhvillimet politike në lidhje me zgjedhjet në veri.
“Ata e kanë pasë shansin që ta ndryshojnë situatën në veri të Kosovës”, tha Kurti duke iu referuar serbëve, ndërsa kujtoi se “i bojkotuan institucionet, dhanë dorëheqje kolektive, i bojkotuan zgjedhjet”.
Kurti tha se “në ndërtesa nuk hyhet me turma fashiste, nuk hyhet me milici të rekrutuar e të trajnuar nga gjandarmëria në Serbi”.
Tash, ai tha se “zgjedhjet janë në vjeshtën e vitit të ardhshëm”.
“Ne ndërkohë ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim. Janë 13 drejtorë serbë në 4 komunat veriore. Pikërisht aty ku qeveris Vetëvendosja, pra në Leposaviq dhe në veri të Mitrovicës, nënkryetari është serb”, tha Kurti.
Kurti tha se në tri raste kishte ofruar nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike, por tha se ishte refuzuar. Pa nënshkrimin e saj, dorëzimin e Milan Radoiçiq dhe tërheqjen e letrës së Ana Bërnabiq, s’mund të ketë draft-status për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Me 27 shkurt 2023 ofrova ta nënshkruajmë marrëveshjen bazike. Nuk pranoi pala tjetër që e pranoi marrëveshjen. Më 18 mars të vitit 2023, ofrova ta nënshkruajë bashkë me aneksin e zbatimit. Refuzoi pala tjetër. Më 26 tetor 2023, në Bruksel ofrova ta nënshkruajmë një paketë në emër të urgjencës kur agresioni rus ishte intensifikuar në Ukrainë e kishte krisur edhe lufta në Lindjen e Mesme që filloi me sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit, prapë ofrova që ta nënshkruajmë, prapë u refuzova. Unë kërkoj ta nënshkruajmë Marrëveshjen Bazike. Pa e nënshkru Marrëveshjen Bazike, me Aneks të Zbatimit, pa e dorëzu Milan Radoiçiqin autoriteteve të Kosovës, ku ai tash ka aktakuzë 160 faqëshe dhe pa e tërheq atë letrën e zonjës Bërnabiq, ku ata thonë se s’e respektojnë integritetin territorial të Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjen, s’di çfarë draft-statutesh mund të shkruajë ndokush. Jo unë, por ndokush. Ne kemi nevojë mirëbesimi midis palëve dhe vullnet dhe qëllim të mirë”, tha ai.
(Kosova Sot Online)