Deputetja e VV’së: Secili qytetar duhet të jetë falënderues pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave për sektorin publik

  • A.P /
  • 30 October 2024 - 09:12
Deputetja e VV’së: Secili qytetar duhet të jetë falënderues pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave për sektorin publik

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, ka thënë se rritja e paralajmëruar e pagës për sektorin publik nuk ndërlidhet me zgjedhjet por ka qenë momenti i duhur për ta bërë për shkak të siç është shprehur rritjes ekonomike që ka përfituar Kosova vitin e fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryeziu mendon se secili qytetar duhet të jetë mirënjohës dhe falënderues për këtë rritje.

 

“Në fakt janë disa muaj deri në zgjedhjet parlamentare dhe nuk e di pse po ka tendencë që kjo të ndërlidhet me çështjen e zgjedhjeve, unë mendoj se ky ka qenë momenti i duhur për ta bërë një veprim të tillë sepse kemi kaluar një vit buxhetor dhe po hyjmë në vitin e dytë buxhetor dhe mendoj se mundësitë janë krijuar për shkak të rritjes ekonomike le të themi që Kosova ka përfituar këtë vitin e fundit dhe sigurisht që kjo do të shprehet në përfitim për qytetarët nëpërmjet kësaj rritjes së pagës në sektorin publik. Unë mendoj që secili qytetar sot duhet të jetë mirënjohës ose falënderues për mundësinë që është bërë një veprim i tillë sepse gjithmonë duhet të nisemi prej veprimeve të vogla për të ardhur deri te ajo shuma e dëshirueshme. Unë e kuptoj që një rritje e tillë ndoshta një shumë me të cilën qytetarët mund të bëjnë shumëcka por ama është një rritje prej të cilës nis ky procesi i rritjes i cili do të vijojë në të ardhmen sepse do ta shohim që brenda një viti do të ketë rritje të dyfishtë të pagës”, ka thënë ajo në Tëvë1.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se nga janari i vitit 2025 do të ketë rritje prej 55 euro të pagës për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

“Ne kemi shkuar në maksimumin lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vleren e koeficientit por ta rrisim, koeficientin për një njësi të secilit punonjës të sektorit publik. Gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)