Dehari: Çështja e Astritit është në dorën e Prokurorisë
Sot bëhen 8 vite nga vdekja e Astrit Deharit. Tetë vite më parë aktivisti i “Vetëvendosjes” Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij ku po mbahej në paraburgim në Prizren, i cili po akuzohej bashkë me pesë aktivistë tjerë për gjuajtjen e Kuvendit me zollë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Pas vdekjes së Deharit, “Lëvizja Vetëvendosje” kishte premtuar se gjatë mandatit të saj qeverisës do ta zbardhte këtë rast, por ndodhi e kundërta. Ishte dhjetori i vitit 2022, kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte njoftuar opinionin publik se ishin zhdukur disa mostra të Astrit Deharit nga Instituti Mjeko-Ligjor në Prishtinë, të cilat ishin gjetur sërish pas gati një viti e gjysmë.
Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan.
Se si e ka parë punën e Ministrisë e Drejtësisë dhe Prokurorisë për zbardhjen e vdekjes së djalit të tij, ka folur babai i Astritit, Avni Dehari.
Dehari deklaroi se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Prokuroria disa herë të zbardhet ky rast, por këta të fundit e kanë konsideruar si ndërhyrje.
“Pushtetet janë të ndara dhe nuk kanë mundësi t’iu përzihen Prokurorisë. Kanë kërkuar shpesh herë si ministrja dhe kabineti i saj që të zbardhet këtë rast edhe atë e kanë konsideruar si ndërhyrje”, deklaroi Dehari.
Tutje, Dehari thotë se çështja e djalit të tij është në dorën e Prokurorisë.
Sipas tij, mbi këtë rast s’ka bërë ndonjë gjë.
“Çështja e Astritit është në dorën e Prokurorisë që nga fillimi e deri më sot janë të njëjtit persona që kanë qenë 2016 dhe nuk kanë bërë diçka më tepër”, u shpreh Dehari.
(Kosova Sot Online)