Vetëvendosje: Nuk presim ndonjë ndryshim radikal nga zgjedhja e Trumpit si president
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka thënë se nuk pret ndonjë ndryshim radikal nga zgjedhja e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Deputeti i VV-së, Haliti ka thënë se SHBA-ja ka qenë çdo herë mbështetëse dhe se njëjtë pret edhe kësaj radhe me presidentin Trump.
“Si Kosovë nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim radikal sa i përket politikës saj sepse jemi dëshmitar edhe në të kaluarën nuk ka qenë e rëndësishme se kush ka qeverisë me SHBA për shkak se në kohën kur kanë udhëhequr demokratët, gjegjësisht Bill Clinton, Kosova ka gjetur përkrahjen më të madhe për çlirim në vitin 1999. Kurse në vitin 2008 nën udhëheqjen e republikanëve gjegjësisht presidentit Bush e kemi fituar Pavarësinë”, tha Haliti.
Ai theksoi se përkrahja amerikane ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë, “kurse Kosova nuk ka aleat më të madh sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Nuk dimë se si do të përbëhet kabineti i presidentit Trump, mirëpo besoj se këto tema nuk ndërlidhen me individë por janë politika zyrtare SHBA-së në raport me Kosovën që deri më tani ka qenë përkrahëse e stabile, kështu që presim edhe në të ardhmen të kemi një mbështetje dhe përkrahëse e SHBA-së”, tha ai.
(Kosova Sot Online)