Basha: Edhe nëse Vetëvendosje i merr 45% me kënd e bëjnë koalicionin opozita!
Pas zgjedhjeve në SHBA, Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, tha se veprimet e ndërmarra të kryeministrit Albin Kurti në veri nuk ishin kundër Amerikës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Nuk munden 20 mashtrues m’i bind 2 milion shqiptarë se Albini është anti-amerikan! E para, ky popull e di që Albini asnjëherë te vetme s’ka pas qëndrim anti-amerikan, por vetëm anti-serbian. Gjene në këto 4 vite një veprim të vetëm të Kryeministrit që ka qenë kundër interesave amerikane”, ka shkruar ai.
Ai ka akuzuar opozitën se në emër të amerikanizmit po duan ta kthejnë “biznesin me Radoiçiqin në veri”, ndërsa nën ethet e zgjedhjeve, Basha tha se edhe nëse Vetëvendosje i merr 45% me kënd e bëjnë koalicionin.
“A e keni pyet veten, nëse edhe i marrim veç 45%, me kënd bëjnë koalicion këta, si e formojnë qeverinë pa partinë e Radojçiçit?!”.
Sipas Bashës, opozita do që Kosovën ta kthejë në vitin 2019-tën “me Radojçiçin shef në veri”.
Postimi i plotë:
Nuk munden 20 mashtrues m’i bind 2 milion shqiptarë se Albini është anti-amerikan!
E para, ky popull e di që Albini asnjëherë te vetme s’ka pas qëndrim anti-amerikan, por vetëm anti-serbian. Gjene në këto 4 vite një veprim të vetëm të Kryeministrit që ka qenë kundër interesave amerikane.
Shkatërrimi i bandave në veri nuk e prish popullin me Amerikën, por lidhjet me kriminelët në jug! Ndalja e dinarit nuk na prish me Amerikën, por me Vuçiqin dhe ata që janë ushqy prej dinarit! Mbyllja e kontrabandës nuk na ka prish me Amerikën, por ua ka prish hajninë kriminelëve në veri. Lufta kundër Radojçiçit nuk na ka prish me Amerikën, por e ka prish me kumarinë me bashkëpunëtorët e tij në jug.
Pra Albin Kurti ka bë veprime që ia ka marrë pushtetin Vuçiqit në veri, e ua ka prish kumarinë disa tjerëve në jug, e që opozita e disa t’ashtuquajtur gazetar po vazhdojnë me tentu me i paketu si veprime “anti-amerikane.”
Pra këta nuk është se këta e dojnë Amerikën – se s’mundesh me qenë mercenar, haraçxhi ose hajn e me u thirr në amerikanizëm – por e kanë si shpresë m’i arritë dy gjëra, (1) që m’u kthy në pushtet në emër kinse të Amerikës, njerëzit që po kjo Amerikë në raporte i ka cilësu si njerëz të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe (2) po shpresojnë që n’emër Amerikës me kthy kumarinë me Radijçiçin në veri sepse ju duhet me i kthy bizneset krimnale dhe potencialisht koalicionin me të politikë! A e keni pyet veten, nëse edhe i marrim veç 45%, me kënd bëjnë koalicion këta, si e formojnë qeverinë pa partinë e Radojçiçit?!
Sa i përket Amerikës, Albini është bë Kryeministër nga populli më pro amerikan në botë! Ky Kryeministër është dëshmu që i mbron më së miri interesat e Kosovës në raport me Serbinë, dhe i vetmi Kryeministër që punon pastër e drejtë dhe mbetet i pashantazhueshëm!
Amerika vazhdon me qenë aleati më i madh i shtetit tonë, dhe Kosova me Kryeministrin Kurti është qeveria më pro-amerikane në gjithë Ballkanin, sepse me qenë amerikan është me qenë patriot që lufton për drejtësi, demokraci e mirëqenie të popullit tënd, jo për mirëqenien personale ku prej panlave me rrogë të shtetit kanë përfundu pronar të tokave e villave luksoze milionëshe! Ju nuk i bëni nder as me ia përmend emrin Amerikës, aq më pak m’u thirr në vlera të tyre!
Për fund, më treguan që mercenarët po ulurojnë me kthy Kosovën në vitin 2019, dmth pe kërkojnë një Kosovë pa Albinin, por me Radojçiçin shef në veri. Kjo ka qenë Kosova e 2019-së që po e kërkojnë! Të njëjtën kërkesë e ka Serbia – një Kosovë pa Albinin e me Radojçićin – mirëpo ajo gjendje nuk kthehet as në ëndrrat tuaja, sepse ky popull nuk mashtrohet më! Nuk mundeni me kthy Radojçiçin duke u thirr n’emër të Amerikës. Kush do me kthy Kosovën në vitin 2019-tën me Radojçiçin shef në veri, mundet m’u rreshtu pas tij veç në Serbi, se n’Kosovë më s’ka vend më, së paku me Albinin jo!
(Kosova Sot Online)