Picula: Serbia duhet të punojë për qetësimin e tensioneve në veri

  • A.P /
  • 09 November 2024 - 13:50
Picula: Serbia duhet të punojë për qetësimin e tensioneve në veri

Raportuesi i ri për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka thënë se ndër pengesat më të mëdha në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE) është edhe stagnimi në reformat në fushën e sundimit të ligjit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në një intervistë të para pak ditësh për agjencinë e lajmeve Beta, Picula ka përmendur edhe ngjarjen në Banjskë, duke theksuar se Serbia duhet të inicojë dhe të përfundojë procesin e përcaktimit të përgjegjësisë për të gjithë të përfshirët në ato ngjarje.

Bëhet fjalë për sulmin terrorist që ndodhi gjatë vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Serbia duhet të inicojë dhe të përfundojë procesin e përcaktimit të përgjegjësisë së të gjithë të përfshirëve në ngjarjet e Banjskës dhe të punojë për qetësimin e përhershëm të tensioneve në veri të Kosovës. Për suksesin e dialogut, autoritetet në Prishtinë, natyrisht, mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë”, ka shtuar ai.

Veç kësaj, ai tha se nevojitet gjithashtu një lëvizje drejt harmonizimit më të madh me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Ndërsa i pyetur nëse Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së nëse de jure nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Picula ka theksuar se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të përmbyllet me marrëveshje.

“Sa i përket marrëdhënieve me Kosovën, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është nën patronazhin e BE-së, pjesë e së cilës duan të jenë Serbia dhe Kosova. Ai proces duhet të përmbyllet me një marrëveshje që ndër të tjera do të mundësojë dhe jo të bllokojë anëtarësimin në BE për të dyja vendet”, citohet të ketë thënë ai. 

(Kosova Sot Online)