Alarmon profesori universitar: Rusia synon shkatërrimin e BE-së dhe NATO-s
Krahas luftës në Ukrainë, Rusia po bën luftë hibride ndaj Perëndimit dhe synimi i saj është shkatërrimi i Bashkimit Evopian dhe NATO-s, thotë profesori universitar, Ihor Todorov, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Todorov, i cili ligjëron në Departamentin e Studimeve Ndërkombëtare dhe Komunikimit Publik në Universitetin Kombëtar Uzhhorod, thotë se qëllimi kryesor i propagandës ruse mbetet dhënia e Ukrainës Rusisë. Porse, thekson ai, një gjë e tillë do të jetë një fatkeqësi për Perëndimin.
Todorov thekson rëndësinë e ndihmës perëndimore dhe të kuptuarit se Rusia nuk është vetëm armik i Ukrainës.
Intervista e plotë:
A mund të na thoni diçka për situatën në Ukrainë?
Todorov: Fatkeqësisht, situata nuk është e mirë. Lufta në shkallë të gjerë vazhdon prej dy vitesh e gjysmë. Si një ish-banor i Donetsk, mund të them se lufta ka më shumë se dhjetë vjet, sepse vendlindja ime Donetsk u pushtua në vitin 2014. Për mendimin tim, lufta është e natyrës ekzistenciale. Për Rusinë, kur thonë “për Putinin”, është e pasaktë, sepse për Rusinë, ekzistenca e Ukrainës është e pakuptimtë. “Ukraina nuk mund të ekzistojë. Ukraina është një pjesë e Rusisë që duhet të jetë vetëm pjesë e perandorisë”. Dhe politikanët modernë rusë, oficerët ushtarakë, ata studiuan nga teksti i gjeopolitik i (Aleksandr) Duginit (politologu dhe propagandisti rus, ed).
Në vitin 1996, aty shkruhej se ekzistenca e Ukrainës është e barabartë me pushtimin e Rusisë. Dhe, për fat të keq, rusët kanë arritur të pushtojnë rajonin tim të lindjes Donetsk. Sot (2 tetor – red.) kishte informacione se Vuhledar ishte kapur dhe përparimi në Pokrovsk vazhdon.
Pra, ka disa deklarata optimiste nga politikanët tanë, politikanë ukrainas dhe perëndimorë, se lufta duhet të përfundojë, se do të ketë një lloj bisedimesh paqeje. Por, për fat të keq, negociatat për çfarë? Në Rusi, Kushtetuta thotë se rajoni i Donetskut është pjesë e Rusisë.
Dhe ata, të paktën tani, nuk do të pranojnë ta largojnë atë. Është mirë që kemi një operacion në rajonin e Kurskut (Rusi). Meqë ra fjala, rajoni i Kurskut është atdheu im historik.
Miku im, kolegu, dekani i fakultetit të Universitetit të Donetskut, i cili punon në Vinnytsia, tha 20 vjet më parë se ky (rajoni i Kurskut, red.) është një territor ukrainas i pushtuar përkohësisht nga Rusia.
Pra, ne po përballemi, dua të them, si Ukraina ashtu edhe Perëndimi, me faktin se lufta e Rusisë ka për qëllim shkatërrimin e Ukrainës.
Pra, për fat të keq, nuk jam optimist për momentin, sepse ka shumë faktorë. Dhe Ukraina, duke folur objektivisht, është shumë e varur nga ndihma perëndimore. Dhe kjo ndihmë ekziston, por nuk është e mjaftueshme.
Dhe për mendimin tim, vetëm të kuptuarit e Perëndimit se kjo nuk është vetëm lufta jonë, por edhe lufta e tyre, do të mund të ndryshojë situatën. Por nuk ka një ndërgjegjësim të tillë.
Për shembull, propaganda ruse, e cila vepron shumë hapur në vendet perëndimore, synon ta bëjë opinionin publik në këto vende jo në favor të Ukrainës, por kundër Ukrainës: ‘le t’ia japim Ukrainën Rusisë’. Dhe teorikisht, kjo është e mundur, por Perëndimi duhet të kuptojë se kjo do të jetë një fatkeqësi edhe për të.
Sepse Rusia po bën një luftë, një luftë të nxehtë kundër Ukrainës, por prej shumë vitesh po bën edhe një luftë hibride kundër Perëndimit. Dhe qëllimi i Rusisë është shkatërrimi i Bashkimit Evropian, shkatërrimi i NATO-s. Dhe preferencat elektorale në vendet evropiane tregojnë se veprime të tilla kanë njëfarë suksesi.
Për shembull, janë zgjedhjet e fundit në Austri, si dhe zgjedhjet shtetërore në Gjermani, ku fitoi Alternativa për Gjermaninë – AfD.
Nuk po flas për Sllovakinë, nuk po flas për Hungarinë. Unë kam jetuar në Zakarpattia, në Uzhhorod, vitet e fundit dhe e di mirë këtë situatë. Nuk ka kanale ruse të hapura në Hungari, as që kanë nevojë.
Mediat e tyre zyrtare funksionojnë në të njëjtin kontekst si ato ruse. Dhe ky është një vend i Bashkimit Evropian, një vend i NATO-s. Dhe gjithashtu ka të drejtën e Vetos për të marrë vendime për Ukrainën.
Ata ndihmuan në mënyrë aktive nga shkurti ose marsi 2022, por siç e ka pranuar tashmë ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, NATO nuk bëri atë që ishte e nevojshme për të parandaluar fillimin e luftës.
Kjo do të thotë, në teori, Ukraina mund të ishte ftuar për t’u bashkuar me NATO-n në janar 2022. Dhe pavarësisht nga të gjitha marrëzitë, marrëzitë e udhëheqjes ruse, ata kanë frikë të luftojnë me NATO-n. Edhe pse propaganda e tyre thotë: “Ne jemi në luftë me NATO-n, me Amerikën, e kështu me radhë”, por në realitet, ata nuk janë. Ata kanë frikë. Dhe nëse Ukraina do të kishte garanci, garanci themelore, Putini nuk do ta kishte kryer këtë agresion. Por, për fat të keq, kjo është ajo që vazhdon. Dhe unë nuk shoh ndonjë perspektivë pozitive në të ardhmen e parashikueshme.
Pse jo?
Todorov: Sepse Perëndimi po i kupton shumë ngadalë kërcënimet ndaj vetes. Për ta, për shumicën, kjo luftë është diku në Lindjen e Evropës: ‘Po, është mirë që ukrainasit po mbrojnë interesat e tyre, duke mbrojtur kufijtë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por kjo nuk është lufta jonë”. “Ne do të ndihmojmë, siç tha Joe Biden, aq sa është e nevojshme”. Mirë, por sa duhet? Dhe për çfarë qëllimi? Vetëm javën e kaluar, Biden tha se do të ishte deri në fitoren e Ukrainës. Ky është termi “Fitorja e Ukrainës”. Por këto janë ende vetëm fjalë dhe situata e brendshme në SHBA para zgjedhjeve.
Ne kërkojmë që të mund të qëllojmë në aeroportet ruse, në avionët rusë brenda Rusisë. Por na thuhet se kjo do të ishte një përshkallëzim.
Për çfarë lloj përshkallëzimi kanë nevojë të gjithë? Çdo ditë ka sulme në qytetet e Ukrainës, çdo ditë vdesin civilë, çdo ditë vdesin ushtarakët – dhe këta janë ukrainasit më të mire, a e kuptoni? Këta janë njerëz patriotë që kanë shkuar për të mbrojtur vendin e tyre.
(Kosova Sot Online)