Policia del me njoftim të ri për ngjarjen në Ferizaj: U arrestua personi i gabuar
Policia ka dalë me njoftim të ri për ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në Ferizaj, ku një person dyshohet se theri me thikë 4 kalimtarë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Policia thotë se 59 vjeçari dje u arrestua sepse veshja, mbathja, flokët dhe mjekra përputheshin me pamjet e kamerave të sigurisë.
“Ekipe të shumta të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në bazë të informatave të para të siguruara nga terreni, si dhe informatave nga dëshmitarët është ngritur dyshimi, se personi që ka kryer veprat është E.S ( M/K) i moshës 59 vjeçar, të cilin pas një pune intensive të kërkimit është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Nga terreni janë siguruar videoinçizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se ky ishte i dyshuari i kësaj ngjarje, sepse veshja, mbathja, flokët dhe mjekrra përputheshin dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, deri në sqarimin e plotë të rastit dhe hetimeve të mëtejme.”
Ai dje u ndalua për 48 orë derisa në orët e para të mëngjesit një person me inicialet F.I., i moshës 62 vjeçare u lajmërua në polici.
59 vjecari u lirua, ndërsa F.I. u dërgua në mbajtje.
“Hetuesit rajonal kanë vazhduar punën e tyre në identifikimin edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, për derisa me datën 12.11.2024 rreth orës 03:00 të mëngjesit një person tjetër me inicialet F. I ( M/K) i moshës 62 vjeçar nga Ferizaj është lajmëruar në polici, i cili është i dyshuar në rastin vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj. Me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë procedura tjera hetimore.”
(Kosova Sot Online)