Hoti: Marrëveshja e Washingtonit shënoi kthesë të rëndësishme
Avdullah Hoti është duke qëndruar në Francë, ku edhe ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të “IESEG School of Menagement” në Paris. Hoti ka treguar se ka diskutuar bashkë me studentët për negocimin dhe zgjidhen e konflikteve, me konkretisht për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Hoti ka përmendur dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe marrëveshjen e nënshkruar në Washington në vitin 2020.
“Një moment kyç në këtë proces ishte ftesa e Presidentit Trump, në shtatorin e vitit 2020, kur u arrit Marrëveshja e Washingtonit. Ajo marrëveshje shënoi kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, me fokus në rritjen e investimeve, lidhjen e infrastrukturës dhe lehtësimin e tregtisë”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë:
Ishte kënaqësi që para profesorëve dhe studentëve të “IESEG School of Management” në Paris, një institucion i shkëlqyer akademik, të diskutoj për negocimin dhe zgjidhjen e konflikteve.
IESEG është ndër institucionet më eminente të arsimit të lartë në Francë, me programe të avancuara mbi negociatat dhe menaxhimin e konflikteve, duke integruar teorinë me praktikën për të përgatitur profesionistë për sfidat e botës moderne të biznesit dhe diplomacisë.
Me profesorët dhe studentët diskutuam për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, një proces i gjatë dhe i komplikuar, me sfida politike, historike e diplomatike. Dialogu në Bruksel, i mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe akterë të tjerë ndërkombëtarë, synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve në mënyrë paqësore, gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme, që siguron paqe dhe stabilitet në atë pjesë të Evropës, e përqendruar tek njohja e ndërsjellë. Një moment kyç në këtë proces ishte ftesa e Presidentit Trump, në shtatorin e vitit 2020, kur u arrit Marrëveshja e Washingtonit. Ajo marrëveshje shënoi kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, me fokus në rritjen e investimeve, lidhjen e infrastrukturës dhe lehtësimin e tregtisë.
E falënderoj profesor Valonin dhe kolegët e tij për këtë organizim të shkëlqyer.
Është kënaqësi që mes elitës së profesorëve të këtij universiteti të kemi një profesor të nderuar nga Kosova, siç është Prof. Valoni.
(Kosova Sot Online)