Nagavci i kishte lavdëruar doracakët mbi edukimin sek*sual ndërsa i lansonte
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i kishte lavdëruar doracakët mbi edukimin seksual ndërsa i lansonte, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kryeministri Albin Kurti dje e përmendi luftën hibride dhe “fushatën e egër propaganduese” që tha se po bëhet ndaj Qeverisë pas vërejtjeve që vërshuan për këta doracakë. Ai tha se çdo pretendim ishte “i pavërtetë”, ndërsa u shpreh se ata ishin hartuar e miratuar gjatë qeverisjeve të kaluara.
Por Nagavci shprehte “nder dhe kënaqësi” kur lansoheshin doracakët për mësimdhënës për edukimin gjithpërfshirës seksualë.
“MASHTI ka bërë një progres drejt përfshirjes së përmbajtjes së edukimit seksual në mënyrë që të shkojë përtej biologjisë dhe riprodhimit, duke i pajisur fëmijët për trupin e tyre, të drejtat e tyre dhe t’i informojë ata për barazinë gjinore, identitetin gjinor dhe marrëdhëniet e shëndetshme, një qasje që shpeshherë është referuar përgjithësisht si edukim gjithpërfshirës seksual”, shprehej ajo.
Videoja nga lansimi i doracakëve u ripublikua në Facebook nga gazetari Lirim Mehmetaj.
Nagavci lavdërohej se doracakët kishin përmbajtje të mirë.
“Duke marrë parasysh sfidat që janë në trajtimin e përmbajtjeve të edukimit seksual, MASHTI me mbështetjen tuaj po i lanson doracakët për mësimdhënës që përfshijnë përmbajtje që mund të përdoren nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë”, thoshte ajo ndër tjerash.
Ministrja thoshte se “reformat gjithmonë sjellin risi”, ndërsa konsideronte se lansimi i këtyre doracakëve “ka qenë nevojë e kohës”.
(Kosova Sot Online)