BE paralajmëron mbështetësit e Rusisë

  • A.P /
  • 19 November 2024 - 09:24
BE paralajmëron mbështetësit e Rusisë

Gjatë një takimi në Bruksel, ministrat e Jashtëm të BE-së biseduan për rolin e Kinës në luftën në Ukrainë dhe vendimin e SHBA-së që t’i lejojë Ukrainës të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe në territorin rus, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së Josep Borrell shprehu shqetësimin për rolin në rritje të Kinës në luftën në Ukrainë. Sipas tij vihet re një rritje e furnizimeve kineze sidomos me të ashtuquajtura mallra me përdorim të dyfishtë – pra që mund të përdoren si për qëllime paqeje ashtu edhe për qëllime lufte.

“Pa Korenë e Veriut, pa Iranin, pa Kinën, Rusia nuk do të mund t’i vazhdonte përpjekjet e saj ushtarake”, tha Borrell. Ai tha se ishte i shqetësuar edhe për njoftimet se këto tri vende e furnizojnë Rusisë me sisteme të plota armësh.

Në prag të takimit u bë e ditur se BE-ja kishte marrë raporte nga shërbimet sekrete për një fabrikë armësh në Kinë, e cila mendohet se e furnizon Rusinë me dronë për luftën kundër Ukrainës. Një zyrtar i lartë i BE-së, tha megjithatë se për këtë ende nuk ka prova të qarta. Brukseli mendon se është e pamundur që një kompani e tillë të mund të veprojë pa dijeninë e udhëheqjes kineze.

Hapa më të ashpër kundër Kinës

Qeveria kineze hedh poshtë çdo akuzë. Në konferencën e tij për shtyp, Josep Borrelli nuk e komentoi më konkretisht përmbajtjen e raporteve të shërbimeve sekrete. Megjithatë ministrat e Jashtëm të BE-së po mendojnë tani për të ndërmarrë hapa më të ashpër kundër Kinës. “Ndihma kineze me dronë” duhet dhe do të ketë pasoja, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Homologja e saj finlandeze, Elina Valtonen, bëri të qartë se nuk mund të ketë më “business as usual” në tregtinë me Kinën nëse rezulton se vendi po komprometon sigurinë e Evropës.

Lidhur me Iranin ministrat e Jashtëm i zgjeruan sanksionet e BE-së që ekzistojnë tashmë kundër Teheranit për shkak të mbështetjes ushtarake për Rusinë. Ndër të tjera ato parashikojnë ndalimin e eksportit të çdo produkti që mund të përdoret për prodhimin e dronëve dhe të raketave. Sanksionet e reja kanë gjithashtu gjithnjë e më shumë në shënjestër rrugët e transportit: që përfshijnë dy porte në Detin Kaspik, si dhe kompani transporti ruse dhe iraniane që përdoren për transport.

Ministrat e Jashtëm përshëndesin vendimin e SHBA-së për raketat

Uashingtoni vendosi që t’i lejojë Ukrainës të përdorë raketa me rreze veprimi deri në 300 kilometra edhe në territorin rus, sidomos në zonën perëndimore të Rusisë, në rajonin e Kurskut. Një zëdhënës i qeverisë amerikane as e konfirmoi dhe as e mohoi këtë, njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa. Ky hap u përshëndet nga shumica e ministrave të Jashtëm të BE-së.

Përveç SHBA-së Ukrainën e kanë furnizuar me raketa me rreze të gjatë veprimi edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Deri tani asnjë vend nuk e ka lejuar zyrtarisht Ukrainën t’i përdorë ato për të sulmuar objektiva ushtarakë në territorin rus. Kjo mund të ndryshojë si rezultat i vendimit të SHBA. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot përsëriti se edhe vendi i tij po e shqyrton dhënien e një lejeje të tillë. Presidenti Emmanuel Macron e bëri të qartë këtë në maj, theksoi Barrot.

Kritika pati nga pala hungareze. Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto e quajti vendimin “jashtëzakonisht të rrezikshëm”. Hungaria konsiderohet si aleati më i afërt i Rusisë brenda BE-së dhe rregullisht bllokon ndihmat për Ukrainën. Kurse ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se armët e dërguara në Ukrainë nga Italia mund të përdoren vetëm në tokën ukrainase, njofton AFP-ja.

(Kosova Sot Online)