Reshjet e borës e mbulojnë Kosovën, ky është parashikimi i motit
Reshjet e shiut që kanë përfshi vendin ditën e mërkurë, gjatë natës me kalimin në ditën e enjte u shndërruan në reshje bore me rënie të temperaturave, që zbresin në 0C e -2C orëve të mëngjesit, kur dhe pritet të pushojnë të reshurat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gjatë ditës më pas parashihet të kalojnë vransira, por nuk mungojnë intervalet me diell. Temperaturat maksimale gjatë ditës luhaten ndërmjet 2C e 5C. Me kalimin e frontit të ftohtë gjatë natës, frynë erëra të fuqishme veriore me hove deri në 20m/s (70km/h).
Reshjet e shiut dhe erërat e fuqishme rikthehen sërsih ditën e premtë, me kalimin e stuhisë “Caetano” mbi Ballkan. Me një rënie të temperaturave të premtën pasdite, nga 10C në 0C, reshjet e shiut shndërrohen në borë, duke vazhduar pas mesnate me kalimin në ditën e shtunë. Nga e shtuna vransirat shpërndahen e parashihet mot stabil, kryesisht me kthjellime. Temperaturat minimale zbresin në -3C e -5C, e ato maksimale me një rritje gradule në 4C e 7C, ditën e diel dhe të hënë. Të premtën frynë erëra mjaft të fuqishme, fillimisht nga jugperëndimi, më pas veriore e verilindore me hove edhe mbi 20m/s, lokalisht.
Gjatë kësaj periudhe sasia e reshjeve të akumuluara në vend shkon në 50mm deri 80mm, derisa viseve malore në perëndim edhe mbi 100mm. Shtresa dëbore mund të formohen në zona më të ulëta, prej 5cm deri 20cm, e viseve malore 30-40cm.
Shkaku i erërave më të theksuara, indeksi i cilësisë së ajrit do të qëndrojë më gjatë në vlera të pranueshme dhe të mira, me ngjyrë të gjelbërt. Tek nga dita e shtunë, orëve të mbrëmjes vlerat e çastit kalojnë në ndotje më të rritur, me indeks jashtëzakonisht të dobët, ngjyrë vjollce.
(Kosova Sot Online)