A do ta zvogëlojë Trump mbështetjen për KFOR-in?

  • A.P /
  • 21 November 2024 - 09:03
A do ta zvogëlojë Trump mbështetjen për KFOR-in?

Ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker në një intervistë për N1 tha se pyetja më e mirë do të ishte se çfarë mund të presë ShBA-ja nga rajoni, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

I pyetur nëse mund të preket misioni i KFOR-it në Kosovë nga ulja potenciale e kostove për NATO-n, ambasadori amerikan tha se “KFOR-i ishte një mjet shumë efektiv që u krijua me mbështetjen amerikane, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen amerikane deri më sot”.

Por, ai është i mendimit po ashtu se administrata e dytë e Trump mund të shohë KFOR-in dhe të thotë: “pse po e bëjmë këtë?”

“Duhet të dëgjoni se çfarë tha Presidenti Trump, presidenti i zgjedhur Trump, ish-Presidenti Trump gjatë fushatës së tij. Ai dëshiron të reduktojë dislokimin e trupave amerikane jashtë vendit. Dëshiron të dijë se sa e dobishme është kjo për ne? Dhe prandaj unë them, çfarë do të bëjë rajoni për ne në Shtetet e Bashkuara? Kemi shumë gjëra për të përballuar. Nuk mund të parashikoj saktësisht se si do të rishikohet. Ka kohë që administrata e re të marrë detyrën më 20 janar. Zyrtarët duhet t’i zënë vendet e tyre, vendimet do të merren në atë kohë, padyshim në konsultim me Kongresin, dhe jam i sigurt me aleatët. Por aq më tepër nëse kujtojmë se sa kanë kaluar, 25 vjet nga lufta në Kosovë dhe më shumë se një dekadë që nga dialogu që solli marrëveshjen e Brukselit. Pra, është koha për të vazhduar me këto gjëra”, u shpreh ambasadori amerikan, Philip Reeker.

(Kosova Sot Online)