Vuçiq: Kurti ka urdhëruar depërtimin e forcave të tij të armatosura në Serbinë qendrore

  • A.P /
  • 22 November 2024 - 08:17
Vuçiq: Kurti ka urdhëruar depërtimin e forcave të tij të armatosura në Serbinë qendrore

Presidenti i Serbisë zgjodhi fillimisht Facebook-un e tij e më pas RTS-në për të propaganduar rreth Kosovës. Ai tha se kryeministri i Kosovës po e shtyn NATO-n të nis luftë me Serbinë. Ai ka shfrytëzuar rastin që të bëj presion mbi Amerikën rreth pretendimeve se Policia e Kosovës ka kaluar kufirin e Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka vazhduar me propagandën e tij drejt Kosovës. Populizmi i tij ka vazhduar në Facebook e më pas edhe në televizionin që vet e kontrollon, RTS.

Ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Aljbin Kurti, se ka urdhëruar pjesëtarët e Policisë së Kosovës të hyjnë në territorin e Serbisë qendrore për të “futur NATO-n në konflikt me Serbinë”.

Madje ai u viktimizua dhe tha se po kërkon llogari nga Amerika për këtë veprim të pretenduar të tij.

“Ne po kërkojmë nga amerikanët të na informojnë nëse kemi të drejtë kur themi se Kurti personalisht ka urdhëruar depërtimin e forcave të tij të armatosura në Serbinë qendrore në zonën e fshatit Çirkoviq”, tha ai për RTS.

Këto pretendime të Vuciqit vijnë pas Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se pjesëtarë të “armatosur rëndë” të Policisë së Kosovës “kapërcejnë në mënyrë të paautorizuar” kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës afër fshatit Cirkoviq afër Leposaviqit.

Vuçiq i pyetur nëse priste reagim nga KFOR-i me atë rast, ai në Kosovë tha se “nuk pret asnjë reagim, përveç reagimit të amerikanëve”.

“Ata (amerikanët) e dinë se Kurti e ka urdhëruar këtë qëllimisht dhe se ai priste që ata persona të likuidoheshin dhe se kjo do të ishte arsyeja e tyre për ta futur NATO-n në konflikt me Serbinë”, tha Vuçiq.

Madje ai kërcënoi se forcat serbe do të reagojnë.

Ai bëri të ditur se “herën tjetër” forcat e Serbisë do të “reagojnë me rregullat e plota të shërbimit”.

Lidhur me këtë ka reaguar Policia e Kosovës, duke e mohuar dhe duke i ka quajtur dezinformata, të cilët thonë se për qëllim e kanë krijimin e pasigurisë te qytetarët e asaj zone dhe njollosjen e punës se Policisë së Kosovës.

“Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë…Policia e Kosovës, si institucion i besueshëm dhe transparent do kujdeset në vazhdimësi që të ofrojë informacione zyrtare për media dhe opinionin e gjerë, kurdo që ato kërkohen dhe janë të nevojshme për media dhe publikun”, thuhet në njoftimin e Policisë.


(Kosova Sot Online)