Orban thotë se do ta ftojë Netanyahun në Hungari
Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë të premten se do ta ftojë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për vizitë në Hungari, duke shtuar se do të garantojë se fletarrestimi i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) kundër Netanyahut “nuk do të zbatohet”, transmeton gazeta "Kosova Sot".
GJNP-ja lëshoi fletarrestime të enjten për Netanyahun, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, si dhe për liderin e Hamasit, Ibrahim Al-Masri, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Gazë.
Orban, vendi i të cilit mban kryesimin e presidencës me rotacion 6-mujor të Bashkimit Evropian, tha për radion shtetërore se fletarrestimi i GJNP-së për Netanyahun është “gabim” dhe shtoi se lideri izraelit do të jetë në gjendje të mbajë bisedime në Hungari “me siguri adekuate”.
“Sot, do ta ftoj kryeministrin e Izraelit, Netanyahun, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë, do ta siguroj atë se, nëse vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari. Ne nuk do ta zbatojmë përmbajtjen e tij”, tha Orban.
(Kosova Sot Online)