Raportohet se termocentrali 'Kosova A' po ruhet nga policia e Kosovës
Termocentrali “Kosova A” ka mbi tri javë që po ruhet nga Policia e Kosovës. Prania e personelit policor atje lidhet me një incident që ka ndodhur në tetor, ku ka pasur edhe të shtëna me armë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit, në Teremoncentralin “Kosova A” kishte ndodhur një incident, ku ishin përdorur edhe armë zjarri. Tre persona, ende të panjohur, kishin sulmuar fizikisht një prej rojeve, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Rasti ishte raportuar nga Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, mirëpo pa u treguar se kishte ndodhur në KEK.
Në raport vetëm bëhej e ditur se viktima ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, si dhe se në vendngjarje ishte gjetur një gëzhojë.
“PËRDORIM I ARMËS /LËNDIM TRUPOR – Obiliq 31.10.2024 – 01:10. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se tre të dyshuar të panjohur kanë shtënë me armë zjarri dhe e kanë sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhej në raport.
Nga ajo ditë, Termocentrali “Kosova A” po ruhet edhe nga Policia e Kosovës.
Në një përgjigje nga Zyra e Informimit e Policisë kanë thënë se ngritja e masave të sigurisë me personel policorë janë bërë bazuar në vlerësimin e përbashkët me Korporatën Energjetike të Kosovës.
“Policia e Kosoves, raspektivisht Stacioni policor Obiliq, bazuar në mandatin e saj për ushtrim të autorizimeve policore dhe me qëllim të ngritjes së sigurisë, nga datë 31.10.2024 ka ngritur masat e sigurisë me personel policor, gjithnjë duke u bazuar në vleresimin e përbashkët të sigurisë në mes të KEK-ut dhe Policisë dhe rastit të fundit të ndodhur në TCA ku një punonjës i rojeve fizike ishte sulmuar nga persona të panjohur në vendin e tij të punës”, thuhet në përgjigje.
Pjesëtarët e Policisë do të vazhdojnë ende të sigurojnë këtë objekt, ndonëse nuk dihet se deri kur.
“Policia e Kosovës do të vazhdoj të ofroj siguri me qëllim të krijimit të kushteve dhe ambientit të sigurtë në hapësirën e përgjithshme të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe asetet përcjellëse të saj”, thuhet tutje në përgjigje.
(Kosova Sot Online)