
Alarmon Qalaj: Në veri po hyjnë armë nga Serbia

Rashit Qalaj nga PDK thotë se situata në komunat e veriut të vendit nuk është aspak e mirë derisa ngriti shqetësime se në atë zonë po hyjnë armë ilegale nga Serbia, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Në vazhdimësi kemi thënë që situata e Sigurisë në Veri nuk është e mirë absolutisht nuk ka ndonjë ndryshim, meqenëse grupet kriminale dhe kriminelët atje punojnë vazhdimisht në mënyrë ilegale duke sjell armë. Dhe normalisht që ata janë të mbështetur nga strukturat legale të Serbisë duke filluar nga Presidenti e tutje”, shprehet Qalaj
Sipas tij, gjetja e armëve kohëve të fundit në katër komunat veriore, tregon se AKI duhet të jetë më vigjilente pasi që Serbia po tenton ngritjen e tensioneve.
“Mendoj se institucionet tona të Sigurisë duhet të jenë në krye të detyrës në vazhdimësi që të monitorojnë situatën atje në mënyrë fizike poashtu edhe me informata inteligjente, po ashtu mendoj që edhe Agjencioni Kosovar i Inteligjencës duhet të jetë shumë më aktiv shumë më prezente, që të parandalohet hyrja ilegale e armëve dhe pajisjeve eksplozive në veri të vendit” , thotë ai
Ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti reagoi në rrjetin social “X” duke thënë se siguria në të gjithë vendin është prioritet për Qeverinë, teksa duartrokiti aksionet e Policisë në veri.
(Kosova Sot Online)