Kelmendi i bën ofertë publike kësaj liste: Ejani të bëhemi bashkë në zgjedhje
Kryetari i partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi i ka bërë ftesë publike “Listës Familja” që të bëhen bashkë në zgjedhjet e 9 shkurtit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kelmendi ka thënë se partia e tij nuk i ka problem numrat dhe se “Familja” mund të zgjedhë nga 1 deri në 110.
Ftesa e tij:
“Të nderuar deputetë Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, i nderuar ish-Ministër Ferid Agani, njëherit kryetar i PD-së, të nderuar intelektual dhe përfaqësues të frymës konservatore.
Më lejoni që në emrin tim përsonal dhe në emër të Partisë FJALA, me sinqeritetin më të madh, besnikërinë dhe vendosmërinë tonë, të ju ftojmë për bashkim.
Ditëve të fundit jemi informuar nga mediat e ndryshme që njëri nga parterët tuaj të koalicionit, kryetari i AKR-së, deputeti Behgjet Pacolli është larguar nga koalicioni juaj.
Ne Partia FJALA ju themi, mos u brengosni.
Kur mbyllet një derë, hapen dyer tjera.
Dera e Partisë FJALA, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e hapur për ju dhe për të gjithë ata që mbështesin frymën konservatore në Republikën e Kosovës.
Ne ju ftojmë pa kushtëzime. Ne jemi të gatshëm ta tejkalojmë çdo pengesë eventuale, nëse ekziston.
Sa i përket renditjes dhe numrit të deputetëve në listë, juve ju japim mundësinë të zgjedhni.
Prej numrit 01 e deri te numri 110, ju do t’i zgjedhni pozitat që ju i dëshironi.
Vetëm të bashkuar jemi më të fortë.
Ju mirëpresim” thuhet në ftesën e bërë nga Gëzim Kelmendi.
(Kosova Sot Online)