SBASHK po bëhet gati për protestë

  • A.P /
  • 25 November 2024 - 16:01
SBASHK po bëhet gati për protestë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka njoftuar se më 4 dhjetor do të organizojnë protestë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ky vendim u mor pas takimit të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, në të cilin u analizua situata aktuale dhe u shprehën kritika të ashpra ndaj Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Në një njoftim për media, SBASHK-u tha se kritikat lidhen me “mungesën e dialogut dhe qasjen e gabuar ndaj kërkesave legjitime të anëtarësisë”, duke theksuar bllokimin e negociatave për Kontratën e Re Kolektive të Arsimit nga ana e Ministres Nagvci.

“Në orët e mbrëmjes së të dielës është mbajtur takimi konsultativ me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve dhe të gjithë kanë ripërsëritur vendimin e Këshillit Drejtues për të filluar me veprime sindikale. U vendos që veprimi i parë sindikal të jetë protesta më 4 dhjetor me pjesëmarrjen e kryetarëve dhe kryesive nga të gjitha shoqatat sindikale që nga çerdhet e deri në universitete, të anëtarëve të Këshillit Drejtues, të kryetarëve e kryesive të nivelit komunal sindikal e të universiteteve dhe të kryesisë qendrore duke qenë rreth 2000 protestues”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u bënë të ditur se kjo protestë do të nisë para Ministrisë së Arsimit e pastaj do të marshohet drejt Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës.

“Ky do të jetë veprim i parë sindikal pas protestës së 1 majit të këtij viti dhe përpjekjeve të vazhdueshme për dialog, dhe do të vazhdohet edhe me veprime të tjera sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën në tërë sektorin e arsimit nëse Qeveria dhe në veçanti Ministria e Arsimit nuk reflekton dhe nuk nisë negocimin për Kontratën e re Kolektive të Arsimit, e cila është bazë që siguron respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të arsimit dhe nuk ka shtet në botë që pretendon të jetë demokratik e që nuk ka të nënshkruar Marrëveshjen Kolektive në nivel vendi dhe të Kontratave kolektive të sektorëve, por në Kosovë kjo po ndodh dhe prandaj duke respektuar vullnetin e anëtarësisë jemi të detyruar të nisim me veprime sindikale”, thuhet tutje në njoftim.

SBASHK-u thekson se për gjithë angazhimet dhe përkushtimin ndaj kërkesave të anëtarësisë gëzon mbështetjen e fuqishme të Unionit të Sindikatave të Evropës, që numëron 11 milionë anëtarë dhe të Internacionales Botërore të Arsimit, që numëron 32 milionë anëtarë nga e tërë bota. 


(Kosova Sot Online)