Rusia sulmon Ukrainën me numrin më të madh të dronëve

  • A.P /
  • 26 November 2024 - 11:07
Rusia sulmon Ukrainën me numrin më të madh të dronëve

Rusia ka gjuajtur 188 dronë në Ukrainë, numri më i lartë në një natë të vetme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ushtria e Ukrainës tha të martën se rrëzoi 76 prej këtyre armëve, duke shtuar se humbi gjurmët e 96 prej dronëve, me gjasë për shkak të luftës aktive elektronike, si dhe pesë dronë u nisën drejt Bjellorusisë.

Kyiv u vu nën sulm të vazhdueshëm me dron rus, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko herët të martën, raporton The Guardian.

“Sulmi UAV (mjet ajror pa pilot) në kryeqytet vazhdon”, shkroi Klitschko në Telegram.

“Forcat e mbrojtjes ajrore po operojnë në zona të ndryshme të qytetit. (Dronët) po hyjnë në kryeqytet nga drejtime të ndryshme”.

Dëshmitarët i thanë Reuters se dëgjuan një seri shpërthimesh që u duken se ishin sistemet e mbrojtjes ajrore në funksion.

Kryeqyteti ukrainas, rajoni përreth tij dhe pjesa dërrmuese e territorit ukrainas ishin nën alarmin e sulmit ajror. Në Kiev, alarmet e sulmit ajror filluan rreth orës 19:00, me kohë lokale.

Ndërkohë, një sulm rus brenda natës në infrastrukturën kritike ndërpreu energjinë në 70% të rajonit perëndimor të Ukrainës Ternopil, tha guvernatori i saj në televizionin kombëtar.

Vyacheslav Nehoda tha se dëmi ishte “i konsiderueshëm” dhe do të ndikonte në furnizimin me energji elektrike në Ternopil dhe rajonin përreth “për një kohë të gjatë”.

(Kosova Sot Online)