Vdiq në moshën 99 vjeçare aktvistit shqiptaro amerikan Sami Repishti
Prof. Sami Repishti, i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri, ndërroi jetë të mërkurën më 27 nëntor 2024, në moshën 99 vjeçare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Prof. Repishti lindi në lagjen Dudas të Shkodrës më 6 prill 1925. Pasi studioi për një vit në Firence të Italisë, u kthye në Shqipëri në vitin 1943. Ai u arrestua në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.
Për 14 muaj iu nënshtrua torturave nga Sigurimi i Shtetit.
“Kalova një periudhë shumë të vështirë me tortura nga më çnjerëzoret që mund të mendohen. Edhe sot akoma më dridhet trupi kur e kujtoj mënyrën se si na kanë trajtuar, sa keq na kanë trajtuar”, u shpreh ai për Zërin e Amerikës në qershor të vitit 2019 për jetën e tij dhe vuajtjet gjatë komunizmit.
Ai u dënua me 15 vjet burgim, nga të cilat vuajti 10 vjet në burgun e Shkodrës dhe nëpër kampe pune të detyruar.
Në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe 4 vjet më vonë, në vitin 1960 arratiset në Jugosllavi. Pas një viti, më 1961 shkon në Itali dhe më 1962 emigroi përfundimsiht në Shtetet e Bashkuara.
Ai vazhdoi studimet e larta për frëngjisht duke marrë doktoraturën nga Universiteti i Qytetit të Nju Jorkut dhe Universiteti i Parisit. Ai pati një karrierë të gjatë si arsimtar dhe pedagog. Gjatë gjithë jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, Prof. Repishti pati një aktivizim të vazhdueshëm për çështjet e lidhura me shqiptarët. Në vitin 1996 ai themeloi Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe shërbeu si president i tij deri në vitin 1998.
Ai ka dëshmuar disa herë para Kongresit dhe ka përfaqësuar denjësisht komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit. Ai ka qenë prej kohësh udhëheqës i veprimtarive kulturore dhe politike të këtij komuniteti dhe ishte një anëtar i respektuar i tij.
Prof. Repishti është autor i librave “Nën Hijen e Rozafës”, ku përshkruan vuajtjet e tij gjatë regjimit komunist dhe “Pika Loti” kushtuar bashkëvuajtësve të tij në burg.
Në foto: Prof. Sami Repishti dhe Dr. Elez Biberaj
Pas lajmit për vdekjen e tij që e konfirmoi familja e tij, ish-shefi i Divizionit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Dr. Elez Biberaj në një prononcim për Zërin e Amerikës tha se Prof. Repishti ishte “një mik, koleg dhe mentor i dashur”, dhe se ndjehej “jashtëzakonisht mirënjohës për privilegjin që e kam njohur”.
“Për më shumë se gjysmë shekulli, ne mbajtëm kontakte të rregullta dhe punuam ngushtë për çështjet shqiptare – një kauzë shumë e dashur për të dy ne. Profesor Repishti ishte një person i jashtëzakonshëm – fener i shpresës, dhembshurisë dhe njerëzimit. Një shqiptaro-amerikan i madh, një patriot i vërtetë shqiptar, dhe një studiues i kryer, ai ishte një njeri me parime, i cili nuk pushoi kurrë së luftuari për atë që besonte”, shprehet Dr. Biberaj.
“Bashkësia shqiptaro-amerikane ka nxjerrë shumë veprimtarë të shquar, por pak mund të krahasohen me ndihmesen e shquar dhe aftësitë e jashtëzakonshme intelektuale dhe diplomatike të Profesor Repishtit. Vepra e tij do te vazhdojë të frymëzojë brezat e shqiptarëve në kërkim të një shoqërie më demokratike dhe më të drejtë”, thotë ai.
(Kosova Sot Online)