Albin Kurti, sot në Bruksel

  • A.P /
  • 03 December 2024 - 07:32
Albin Kurti, sot në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Bruksel do të takohet me shefen e re të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ky është takimi i parë i Kallas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti që nga marrja detyrës së përfaqësueses së lartë e BE për Politikë të Jashtme dhe Siguri, detyrë kjo të cilën Kallas e nisi më 1 dhjetor.

Takimet do zhvillohen në margjinat e darkës së punës të cilën presidenti i ri i Këshillit Evropian Antonio Kosta do të zhvillojë sot me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i ri i Këshillit Evropian Antonio Kosta, për nesër (e mërkurë) sipas agjendës nga ora 09:30 do të takojë edhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper.

Kallas është shefja e re e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së dhe së bashku me pjesën tjetër të komisionarëve të KE-së nisën mandatin më 1 dhjetor.

Hipper në një konferencë për media më 2 dhjetor u është përgjigjur pyetjeve lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 dhjetor dhe për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo përsëriti qëndrimin që BE-ja shprehu një ditë pas sulmit në Varragë të Zubin Potokut, duke e cilësuar sulmin si terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për të zbuluar kryesit e sulmit dhe që ata të përballen me drejtësinë.

Lidhur me takimet që do të zhvillojë Kallas në Bruksel, Hipper ka sqaruar se ato nuk do të jenë në kuadër të dialogut.

Kallas tani pasi ka marrë mandatin duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut, i cili ka nisur më 2011.


(Kosova Sot Online)