Pamje të reja nga Kanali i Ibër Lepencit

  • A.P /
  • 04 December 2024 - 13:44
Pamje të reja nga Kanali i Ibër Lepencit

Janë duke vazhduar punimet pranë kanalit të Ibër Lepencit. Aty është duke u punuar për të riparimin e dëmeve që u shkaktuan pas sulmit të 29 nëntorit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ndodhi një shpërthim i cili dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Fatmirësisht nga ky shpërthim nuk pati viktima, mirëpo nga dëmet që u shkaktuan në kanal banorët e Mitrovicës nuk kanë pasur ujë për gati 24 orë.

Pas riparimit të përkohshëm, furnizimi me ujë është rikthyer.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të dielën në konferencën e radhës të mbajtur rreth shpërthimit në Ibër-Lepenc, ka deklaruar se sulmi i planifikuar ishte një kërcënim serioz që, po të realizohej, do të kishte pasoja të mëdha.

Ai shtoi se sulmi ishte e vështirë ta parandalohej për shkak të “elementëve të paparashikueshmërisë, mungesës së informatave të plota dhe shpejtësisë së veprimit të autorëve.”

Kurti shtoi se dëmet direkte do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë për import të energjisë elektrike e 100 mijë euro tjera në ditë për ujë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në kuadër të masave parandaluese për sulme të tilla, ka realizuar edhe një aksion tjetër në veri të vendit. Në këtë operacion, janë sekuestruar armë dhe pajisje të tjera që mund të lidhen me aktivitete të paligjshme.

Gjatë kontrollit në një lokacion në Varagë janë gjetur dy armë gjuetie, një armë karabinë M48 dhe një sasi e municionit të kalibrave të ndryshëm.

Ndërkaq dy nga të arrestuarit në veri, që dyshohen për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, dolën para Gjykatës në Prishtinë.

Gjykata Themelore iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh

Kujtojmë se menjëherë pas sulmit të ndodhur të premten, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë i cili ishte vendosur në një çantë të zezë dhe ishte aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

Kurse mnistri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.

(Kosova Sot Online)