IKSHPK del me njoftim të rëndësishëm
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se nga analizat e fundit ka rezultuar se uji që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit është bërë i pijshëm pas shpërthimit që ndodhi në kanal në fund të nëntorit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Uji që nga sot (09.12.2024) mund të përdoret për pije”, njoftoi IKSHPK.
IKSHPK dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë (QRSHP) u tha se kishin “forcuar monitorimin e ujit për pije në zonën e shërbimit të KRU “Prishtina” dhe KRU”Mitrovica”, në Impiantet e trajtimit në Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj”.
“Nga data 29 nëntor deri me 06 dhjetor janë aplikuar restrikcionet në rrjetet shpërndarëse të këtyre dy kompanive si pasojë e veprimeve të ndërmarra për sanimin e gjendjes në kanal. Bazuar në të dhënat nga KRU “Mitrovica” dhe KRU”Prishtina” me aktivizimin e By-pass, furnizimi me ujë nga kanali Ibër-Lepenc është stabilizuar në të gjitha Impiantet e lartëcekura për trajtimin e ujit, prandaj që nga data 07.12.24 nuk ka pasur restrikcione që nënkupton furnizim me ujë për konsumatorët për nevoja teknike (higjieniko-sanitare)”, njoftoi IKSHPK.
IKSHPK tha se “gjatë këtyre ditëve nga të gjitha impiantet e lartëcekura ka marrë gjithsej 100 mostra të ujit për analiza fiziko-kimike, 100 për analiza bakteriologjike si dhe 13 mostra për analiza në metale të rënda (në ujin e pa trajtuar dhe ujin nga rrjeti shpërndarës)”.
“Rezultatet laboratorike nga dy laboratoret , IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu””, thuhet në njoftim.
IKSHPK i rekomandon KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” që “të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes bazuar në UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu””.
“IKSHPK falënderon qytetarët për mirëkuptimin e shprehur gjatë tërë kësaj periudhe dhe i siguron ata se do të vazhdojë me monitorim të rregullt të cilësisë së ujit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Bashkëpunimi i IKSHPK-së me KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” do te jetë i vazhdueshëm për të garantuar furnizim me ujë, në sasi dhe cilësi, për të gjithë qytetarët. IKSHPK apelon te qytetarët që t’i referohen vetëm informatave zyrtare të IKSHPK-së dhe KRU-ve përkatëse”, thuhet në njoftim.
(Kosova Sot Online)