NATO me strategji të re për mbrojtje nga sulmet hibride

  • A.P /
  • 11 December 2024 - 10:43
NATO me strategji të re për mbrojtje nga sulmet hibride

Derisa NATO-ja mendon shumë për Ukrainën, ajo është duke u përballur gjithnjë e më shumë me sulme hibride ndaj 32 vendeve anëtare të saj, të cilat vijnë nga Rusia e Kina, por edhe Irani e Koreja e Veriut, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në një takim të javës së kaluar të ministrave të Jashtëm në Bruksel, një zyrtar i lartë i NATO-s foli për “sulme të vazhdueshme dhe të përditshme kundër vendeve të NATO-s”, që tha se përfshijnë sulmet kibernetike, ndërhyrjet politike, sulmet në infrastrukturë kritike siç janë kabllot nënujore, si dhe sabotazhin.

Një shembull i fundit është dëmtimi i kabllove të komunikimit me fibra optike në Detin Baltik, që, sipas disave, ishte sabotazh.

Që nga viti 2016, NATO-ja ka deklaruar se sulmet hibride kundër cilitdo prej vendeve të saj anëtare, mund të nxisin veprime sipas Nenit 5 të Traktatit të aleancës.

Sipas këtij neni, sulmi i tillë ndaj një vendi anëtar mund të konsiderohet akt agresioni ndaj gjithë aleancës dhe ta nxisë përgjigjen e të gjithë aleatëve.

Për t’u thirrur në këtë nen, pragu është shumë i lartë. Ai është zbatuar vetëm një herë në historinë 75-vjeçare të NATO-s, përkatësisht pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001, ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat më pas kanë shkaktuar luftën në Afganistan.

Zyrtarët e NATO-s pranojnë se sulmet hibride janë të ndërlikuara, sepse nuk janë si lufta konvencionale.

(Kosova Sot Online)