
SBASHK godet Muratin: Ua keni mohuar të drejtat punëtorëve të arsimit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, pasi që ky i fundit, siç thuhet nga kjo sindikatë, nuk e ka përkrahur nisëm qytetare që të njihet përvoja si kontributdhënës të mësimdhënësve gjatë viteve 90-ta, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
SBASHK, reagimin e saj e ka nisur duke shtruar pyetjen drejtuar Muratit se nëse ky i fundit ka edhe ndonjë sulm tjetër kundër punëtorëve të arsimit.
Tutje, nga kjo sindikatë thuhet se, sipas Muratit ‘‘ata që i shërbyen pushtuesit shpërblehen edhe tani me pensione të plota e ata që bënë sakrifica sublime për shtetësinë e Kosovës ndëshkohen edhe tani me pensione’’.
Pos kësaj, SBASHK ka theksuar se qeveria në të cilën bën pjesë Murati, atë Kurti, nuk ka zhvilluar as dialog e as takime, ndërsa qeveritë e kaluara e kanë bërë një gjë të tillë duke u munduar të ofrojnë zgjidhje.
‘Tani po të kujtojmë se çfarë kanë bërë Qeveritë tjera të Republikës së Kosovës për arsimin dhe do të përmend vetëm nga një veprim të tyre. Kryeministri Hashim Thaçi dhe Qeveria që drejtonte, ai nuk i iku kurrë dialogut me sindikatën dhe duke respektuar kërkesën tonë bëri ngritje të vazhdueshme e të dukshme të pagave, Kryeministri Isa Mustafa tregoi mirëkuptim ndaj kërkesës sonë dhe falë angazhimit të ish zv.kryeministrit Kujtim Shala dhe ministrit Arban Abrashi e kthyen në realitet pikën 6 të nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale dhe punëtorët e arsimit gëzonin pension të punës e jo të pleqërisë, Kryeministri Ramush Haradinaj tregoi mirëkuptim ndaj kërkesës sonë dhe duke shprehur respekt për sakrificat sublime të punëtorëve të arsimit në vitet 90-ta bëri Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet 90-ta, Ligj ky që në shenjë respekti për ato vite u siguron një shtesë materiale të pensionuarave e që punuan me në ato vite me sistemin arsimor të Republikës së Kosovës’’, thuhet mes tjerash në reagimin e SBASHK-ut.
(Kosova Sot Online)