Opozita serbe ka paraqitur kërkesë për shkarkimin e Bërnabiqit
Grupet parlamentare të opozitës në Kuvendin e Serbisë kanë dorëzuar kërkesë për shkarkimin e Ana Bërnabiqit nga posti i kryetares së Kuvendit, ka thënë në konferencën për media deputeti i Frontit të Gjelbër-Majtë Radomir Llazoviq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas fjalëve të tij, kërkesa për shkarkim është dorëzuar për shkak të shkeljes së Kushtetutës së Serbisë, Ligjit për Kuvendin dhe Rregullores së Kuvendit të Serbisë.
“Kompetenca e Kuvendit është të nxjerrë ligje, të ndryshojë ligje, të miratojë buxhetin dhe miratimit të ligjeve dhe miratimit të buxhetit duhet t’i paraprijë një diskutim publik. Dëgjimi publik zhvillohet në parim dhe në detaje dhe çdo deputet ka të drejtë të marrë pjesë në seancë”, ka thënë Llazoviq.
Sipas tij, sjellja e kryeparlamentares Ana Bërnabiq ishte e paprecedent.
“Mund ta shihni sjelljen e saj në seancë. Seanca praktikisht as nuk u mbajt, sepse diskutimi nuk u zhvillua as në tërësi dhe as në detaje. Ana Bërnabiq e ka vënë në lajthitje opinionin duke thënë se askush nuk është lajmëruar për ta marrë fjalën për amendamentet, sepse vetëm unë dhe kolegia Spiriq jemi lajmëruar për ta marrë fjalën. Po ashtu, në seancën e kaluar Ana Bërnabiq nuk e ka lejuar propozimin për votëbesimin e Qeverisë, me propozimin e 85 deputetëve”, ka theksuar Llazoviq.
Ana Bërnabiq, ka shtuar ai, “në vend që të lejojë propozimin për mosbesimin e Qeverisë, ka filluar një manipulim të paparë në parlament. Sepse ajo kishte frikë nga diskutimi për mosbesimin ndaj qeverisë, domethënë përgjegjësinë e regjimit për vdekjen e njerëzve në Novi Sad”, ka thënë ai, përcjell Paparaci.
“Gjithashtu, Ana Bërnabiq ka sugjeruar që të mbahet një seancë e përbashkët për të gjitha pikat e rendit të ditës në të njëjtën kohë, gjë që është e pakuptimtë në vetvete. Sa na përket neve, besojmë se veprimet e kundërligjshme të kryetares së Kuvendit kanë rezultuar me Ligjin e Buxhetit të miratuar në mënyrë jokushtetuese dhe vendimet tjera, prandaj do të fillojmë procedurën pranë gjykatave kompetente”, ka thënë Llazoviq.
Ai ka thënë se ajo që ndodhi në seancën e fundit të parlamentit ishte një manipulim historik i Ana Bërnabiqit me qëllim që të mos lejohet diskutimi për vdekjen e njerëzve në Novi Sad”.
“Të miratohet pa diskutim për amendamentet ligji më i rëndësishëm, që është buxheti, por edhe të gjitha të tjerat që ishin në rend dite”, ka deklaroi ai.
Llazoviq ka thënë se “me kërkesën për shkarkimin e Bërnabiqit shihet se në sa vende është shkelur ligji, Kushtetuta e Serbisë dhe Rregullorja e Punës”.
“Bëhet fjalë për shkelje dhe manipulime të shumta të Ana Bërnabiqit. Ajo nuk e meriton të jetë kryetare e Kuvendit. Do të bëjmë gjithçka që ajo të mos qëndrojë në këtë post”, ka thënë Llazoviq.
(Kosova Sot Online)