Komuna e Prishtinës: Kjo shtëpi ka qenë e ndërtuar pa leje në pronë publike

  • A.P /
  • 12 December 2024 - 12:14
Komuna e Prishtinës: Kjo shtëpi ka qenë e ndërtuar pa leje në pronë publike

Komuna e Prishtinës ka dalë me një sqarim publik pasi si pasojë e ndërtimeve në “Rrugën A”, një shtëpi është prekur në themele dhe është gati të rrëzohet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Komuna thotë se shtëpia ka qenë e ndërtuar pa leje në pronë publike.

“Në lidhje me shqetësimet e shprehura për pamjet e shtëpisë në lagjen “Prishtina e Re”, sqarojmë se banorët janë njoftuar dhe larguar me kohë, disa muaj më parë, për shkak se zona ku ndodhej shtëpia është vlerësuar e paqëndrueshme dhe e pasigurt. Shtëpi ka qenë e ndërtuar pa leje në pronë publike”, thuhet në sqarimin e tyre.

Tutje, komuna thotë se “për banorët që jetojnë pranë hapësirës ku po zhvillohen punimet për Rrugën A, Kryeqyteti ka siguruar zgjidhje të përkohshme për banim, duke mbuluar shpenzimet e qirasë deri në përfundimin e punimeve”.

“Jemi të përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë, duke respektuar njëkohësisht ligjin dhe interesin publik”, vijon sqarimi.

(Kosova Sot Online)