
Berisha-mazhorancës: Mbroni Edi Ramën, jeni si zogjtë në klloçkë

Komisioni i Venecias publikoi më 10 dhjetor opinionin në lidhje me përplasjen e krijuar mes mazhorancës socialiste dhe Gjykatës Kushtetuese, nëse deputeti është apo jo i detyruar të votojë sipas vendimit të Kushtetueses, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ngërçi mes Kushtetueses dhe deputetëve socialistë erdhi pasi për dy herë me radhë mazhoranca votoi kundër dërgimit në Gjykatë të mandatit të socialistes Olta Xhaçka, edhe pse Gjykata kishte vendosur që parlamenti duhet të votojë pro.
Në lidhje me pyetjen e kryetares së kuvendit Elisa Spiropali: a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar, nëse ka përjashtime, cilat janë ato dhe a lidhen me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti, ekspertët e Venecias shpjegojnë se deputeti është i lirë të votojë sipas bindjes së tij, si një mënyrë për ta mbrojtur atë kur voton ndryshe nga vullneti i partisë, ndryshon kamp politik apo bëhet i pavarur dhe askush nuk mund t’ia heqë atij mandatin.
Komisioni i Venecias sjell në vëmendje se parimi që deputetët janë të lirë të votojnë në bazë të bindjes së tyre është konfirmuar edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Ditën e sotme në Parlament, gjatë seancës plenare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi mazhorancën se ka poshtëruar Kushtetutën. Ai gjithashtu akuzoi mazhorancën se ka bllokuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe tha se mbrojnë kreun e qeverisë, Edi Rama.
Berisha: Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët. Në historinë e Evropës dhe botës nuk ka ndodhur që një ministre pasi bëri burrin e vet investitor strategjik…ju poshtëroni Kushtetutën, vendin, zgjedhësit dhe mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e ndëshkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe nga Komisioni i Venecias. Çfarë është kjo? Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet dhe plaçkitjet që kanë bërë.
Fijet e Olta Xhaçkës që bëhet këtu personazh unik janë të lidhura direkt me Edi Ramën. Nëse ju, pasi keni futur në xhep SKAP-in (SPAK) e partisë, pasi injoroni aktet e kontrollit të shtetit, bllokoni dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, bllokoni dhe vendimet e Komisionit të Venecias, flamuri juaj i zi meriton të digjet në sheshin “Skënderbej”. Mbroni Edi Ramën. Jeni si zogjtë në klloçkë, po asaj klloçke do t’i vijë fundi dhe do dilni pa pupla në publik. Që këtu merr fund mazhoranca Xhaçka, kushtetuta Xhaçka. Edhe ju keni shembullin e tyre, dosjet e krimit i keni palë-palë. Nuk them secili prej jush, por shumë e shumë. Zbatoni Kushtetutën ose mosbindja civile do të vijë dhe në sallë.
(Kosova Sot Online)