BE pritet të miratojë një dokument për Kosovën dhe Serbinë

  • A.P /
  • 14 December 2024 - 12:15
BE pritet të miratojë një dokument për Kosovën dhe Serbinë

Bashkimi Evropian pritet të miratojë me 17 dhjetor një draft me konkluzione në të cilat pritet t’i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa t’i zbatojnë marrëveshjet e dala nga dialogu, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu Kosovë-Serbi,  ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, do të jetë kërkesa kryesore për Kosovën dhe Serbinë, sipas konkluzioneve të draft-dokumentit të zgjerimit që ka përgatitur BE-ja. Ky dokument, që e ka parë DW, pritet të hidhet për miratim më datën 17 dhjetor në takimin e ministrave të BE-së.

Çfarë përmban dokumenti i konkluzioneve?

Në dokumentin e ri të BE theksohet, se rrugëtimi i Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane varet pikërisht nga këto detyrime. Po ashtu në dokument përmendet edhe situata në veriun e Kosovës, sidomos pas shpërthimit muajin e kaluar në kanalin e  ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok. Kosova e fajëson Serbinë për sulmin, por Serbia e mohon kategorikisht përfshirjen.

“Këshilli mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për deeskalim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të evitojnë retorikën përçarëse“, thuhet në draftin e dokumentit të BE-së.

BE: Duhet filluar puna për Asociacionin

Më 17 dhjetor pritet të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Në dokument thuhet, se “këshilli e përsërit, se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi për zbatimin e saj, të miratuara në shkurt dhe mars të vitit 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejtë që të jetë e mundur pa parakushte, sikurse të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja”.

Kosovës në mënyrë të veçantë i kërkohet ta fillojë punën për “miratimin e draft-statutit evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke nisur me përcjelljen e draft-statutit, të cilin palëve ua ka paraqitur ndërmjetësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja”, thuhet në këtë draft dokument,  sipas DW.

Në tetor të vitit 2023, BE i dorëzoi Kosovës dhe Serbisë një “draft-statut modern” për formimin e Asociacionit. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia e mbështetën atë.


(Kosova Sot Online)