
Shala: A po vepron Qeveria Kurti ende me atlasa të Jugosllavisë?

Ferat Shala, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar për projektligjet që kjo parti i ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese, e ku një ndër ta është edhe ai për menaxhimin e resurseve ujore, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Rreth këtij të fundit, ai ka thënë se kishte ‘‘përgatitur për diskutim një kritikë në disa pika ndaj këtij projektligji të hartuar në mënyrë sharlatane e skandaloze’’.
‘‘Projektligji specifikon tri pellgje lumore të Kosovës – rajonin e pellgut të Drinit, të Danubit dhe të Vardarit. Në të vertetë, që nga vitet ’90 e tutje, dokumentet zyrtare dhe literatura profesionale i referohen vetëm pellgjeve lumore të lumenjve të Kosovës. Pasi vetë ky projektligj është për Republikën e Kosovës, dhe jo për ish Jugosllavinë, nuk ka sens të përmenden Danubi e Vardari’’, ka shkruar ai ndër tjerash.
Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së ka shtruar pyetjen se nëse qeveria po vepron ende me atlasa të Jugosllavisë.
Postimi i plotë:
A po vepron kjo Qeveri ende me atlasa të Jugosllavisë?!
Ndër 16 projektligjet që sot i dërguam në Gjykatën Kushtetuese është Projektligji për menaxhimin e resurseve ujore, për dërgimin e të cilës kam qenë bartës unë si deputet i PDK-së.
Sikur mazhoranca mos ta kontrabandonte nëpër terr këtë dhe 15 projektligjet e tjera, kisha përgatitur për diskutim një kritikë në disa pika ndaj këtij projektligji të hartuar në mënyrë sharlatane e skandaloze. Por, sot do ta ndaj vetëm njërin shqetësim, i cili, ndonëse duket i natyrës teknike, në thelb është më problematik se kaq.
Projektligji specifikon tri pellgje lumore të Kosovës – rajonin e pellgut të Drinit, të Danubit dhe të Vardarit. Në të vertetë, që nga vitet ’90 e tutje, dokumentet zyrtare dhe literatura profesionale i referohen vetëm pellgjeve lumore të lumenjve të Kosovës. Pasi vetë ky projektligj është për Republikën e Kosovës, dhe jo për ish Jugosllavinë, nuk ka sens të përmenden Danubi e Vardari.
A po vepron kjo Qeveri ende me atlasa të Jugosllavisë?! Pse këto referenca gjeografike jugonostalgjike?!
Duhet të kthehen konceptet e pellgjeve lumore me emërtimet e lumenjve të Kosovës!
(Kosova Sot Online)