Gashi, ka kritikuar Kurtin për mosparaqitjen e tij si dëshmitar në Prokurori
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për mosparaqitjen e tij si dëshmitar në Prokurorinë Speciale, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Gashi e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm dhe ka theksuar se sjellja e kryeministrit është e gabuar, duke pasur ndikim negativ në vlerësimin dhe konceptin për sundimin e ligjit në Kosovë.
Ai ka shtuar se mosparaqitja e Kurtit sinjalizon qytetarët se mund ta anashkalojnë thirrjen e prokurorisë, një mesazh që, sipas tij, është i gabuar dhe dëmton demokracinë. Gashi ka folur gjithashtu për rastet kur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vetë kryeministri kanë qenë të akuzuar për dhunë, duke i shpallur ato të parashkruara, duke dërguar kështu një tjetër mesazh negativ në lidhje me sistemin e drejtësisë.
Ai ka shprehur shqetësimin se ky lloj veprimi po dëmton kuptimin e sundimit të ligjit dhe rendit, dhe ka akuzuar ministren e Drejtësisë për mosinteresim në ndarjen e drejtësisë kur lë që rastet të parashkruhen.
(Kosova Sot Online)