Zbuloni temat që u diskutuan në takimin e Brukselit mes kryenegociatorëve

  • A.P /
  • 18 December 2024 - 07:25
Zbuloni temat që u diskutuan në takimin e Brukselit mes kryenegociatorëve

Kosova dhe Serbia janë dakorduar dje në Bruksel për termat e referencës për 'Komisionin e Përbashkët për Personat e Zhdukur', transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sa i përket Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, Kosova ka theksuar nënshkrimin dhe zbatimin në tërësi të tyre.

“Nga ana tjetër shtoi se Serbia vazhdon të mos e pranojë të njëjtën dhe ta mohojë atë duke mos bërë asnjë hap drejt fillimit të zbatimit të marrëveshjes”, thuhet në komunikatë.

Përveç këtyre temave, në takimin mes kryenegociatorëve janë diskutuar edhe tema të tjera.

Liria e lëvizjes, energjia e çështja e targave janë disa nga temat për të cilat është folur në dialog.

“Në vijim, u trajtuan tema të tjera ndër të cilat edhe liria e lëvizjes, IBM, regjistrimi i fakteve të gjendjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës, shërbimet noteriale, energjia, zbatimi i marrëveshjes për targat, harmonizimi i certifikatave veterinare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës.

“Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit. Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka njoftuar në orët e vona mbi rezultatin e arritur në takimin e djeshëm.

Në njoftim thuhet se pas negociatave të gjera të kryesuara nga Lajçaku, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, “ranë dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar nga presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2 maj 2023”.

Në këtë njoftim thuhet se Komisioni i Përbashkët i kryesuar nga Lajçaku do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

“Për identifikimin e vendeve të varrezave dhe gërmimet pasuese; Për aksesin në informacione të sakta dhe të besueshme, duke përfshirë të gjithë dokumentacionin përkatës vendas dhe ndërkombëtar, përdorimin e të dhënave satelitore, Dritën dhe Zbulimin dhe Rangimin (LIDAR) dhe teknologjinë e avancuar për zbulimin e varrezave masive; Dhe respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

Komisioni i Përbashkët gjithashtu thuhet se do të monitorojë dhe mbështesë Kosovën dhe Serbinë në avancimin e bashkëpunimit të tyre nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

“BE-ja mirëpret që Kosova dhe Serbia riafirmuan se çështja e Personave të Zhdukur është një shqetësim humanitar dhe theksuan nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të mbyllur rastet për familjet e prekura dhe komunitetin e gjerë. Nga 6,065 rastet e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, 1,607 mbeten të pazgjidhura”.

“BE-ja vlerëson të dyja palët për angazhimin dhe qasjen e tyre konstruktive, e cila bëri të mundur rezultatin e sotëm. Lehtësuesi i BE-së ftoi palët të emërojnë përfaqësuesit e tyre përkatës për takimin e parë deri në mes të janarit të vitit të ardhshëm, siç përcaktohet në Termat e Referencës”, thuhet më tej në komunikatë.

BE-ja tha se progresi i sotëm është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit.

“Është në dobi të drejtpërdrejtë të njerëzve në Kosovë dhe Serbi. BE-ja u kërkon të dyja palëve që të fillojnë punën e zbatimit të Marrëveshjes në tërësi”, u tha në komunikatën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

(Kosova Sot Online)